Lajme

Danimarka vendos masa më të rrepta për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla

Nxënësit e shkollave të mesme në Danimarkë do ta nisin vitin e ri shkollor nën rregulla të reja për përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), të hartuara për të parandaluar mashtrimet gjatë detyrave dhe provimeve.

Ministri danez i Arsimit, Magnus Heunicke, ka prezantuar një paketë masash që synojnë kufizimin e përdorimit të IA-së për kopjim akademik. Ndër ndryshimet kryesore është detyrimi që punimet me shkrim të realizuara në shtëpi të shoqërohen me një mbrojtje me gojë, në mënyrë që të vlerësohet më saktë puna e nxënësve.

Sipas autoriteteve daneze, rastet e përdorimit të inteligjencës artificiale për mashtrim në shkollat e mesme janë shtuar ndjeshëm, duke bërë të domosdoshme ndërmarrjen e masave të menjëhershme.

Rregullat e reja do të zbatohen edhe për provimin SSO, një nga testet më të rëndësishme të arsimit të mesëm të lartë, të cilin çdo vit e zhvillojnë rreth 9 mijë nxënës.

Po ashtu, shkollat do të pajisen me sisteme për monitorimin e ekraneve të nxënësve gjatë provimeve, ndërsa do të përdoren edhe firewall-e për të kufizuar qasjen në përmbajtje të papërshtatshme gjatë orëve të mësimit dhe testimeve.

Një tjetër masë parashikon që detyrat të zhvillohen më shpesh në ambiente të mbikëqyrura brenda shkollës, duke u mundësuar mësuesve të ndjekin nga afër punën e nxënësve dhe të bëjnë vlerësime më të drejta.

Ministri Heunicke theksoi se do të vazhdojë konsultimet me shkollat, mësuesit dhe nxënësit për të gjetur zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata, me qëllim që inteligjenca artificiale të mos dëmtojë aftësitë akademike dhe mendimin kritik të të rinjve.

Masat e reja janë pjesë e strategjisë së Danimarkës për të balancuar përfitimet e teknologjisë moderne me ruajtjen e integritetit dhe cilësisë së sistemit arsimor.