Danimarka mund të vendosë masa të jashtëzakonshme në kufijtë e saj, deri në mbylljen e tyre të plotë, nëse Europa përballet me një fluks të ri të madh migrantësh. Paralajmërimin e bëri kryeministrja daneze Mette Frederiksen gjatë një debati urgjent në Parlament.
Diskutimi u përqendrua te situata migratore në Europë dhe zhvillimet në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut. Frederiksen e konsideroi një politikë të rreptë migratore si të domosdoshme jo vetëm për Danimarkën, por edhe për Bashkimin Europian.
Kryeministrja daneze u shpreh e shqetësuar për situatën në Ceuta, ku gjatë krizës së fundit një numër i madh migrantësh kaluan nga territori maroken drejt enklavës spanjolle.
Kopenhaga kërkon që Europa të forcojë më tej kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së. Qeveria daneze mbështet gjithashtu mundësinë e rikthimit përkohësisht të kontrolleve në kufijtë e brendshëm të zonës Schengen, në rast se rritja e flukseve migratore krijon rrezik për lëvizje të mëtejshme të migrantëve brenda Europës.
Frederiksen theksoi se Danimarka është e përgatitur të marrë masa shtesë nëse situata migratore përkeqësohet.