Jeta në Zvicër

Cyrihu përballet me mungesë drejtuesish të tramvajit

VBZ po përballet me vështirësi në rekrutimin e drejtuesve të tramvajit, ndërsa synon të plotësojë klasat e trajnimit deri në fund të vitit

Zgjerimi i rrjetit të tramvajit në Cyrih po përballet me vonesa për shkak të mungesës së personelit të nevojshëm për drejtimin e tramvajeve.

Ndërmarrja e Transportit të Cyrihut, VBZ, po përpiqet të rekrutojë dhe trajnojë drejtues të rinj, por vetëm një pjesë e kandidatëve arrijnë t’i përmbushin kriteret e kërkuara, përcjell albinfo.ch.

Mungesa e stafit po bëhet veçanërisht e rëndësishme në prag të zgjerimit të mëtejshëm të rrjetit, pasi linjat e reja kërkojnë edhe numër shtesë të drejtuesve të tramvajit.

VBZ shpreson që deri në fund të këtij viti të arrijë të plotësojë klasat e trajnimit me kandidatë të rinj, në mënyrë që të sigurojë personelin e nevojshëm për funksionimin e rrjetit.

Procesi i përzgjedhjes dhe trajnimit të drejtuesve është i rreptë, pasi puna kërkon përgjegjësi të lartë, aftësi për përballimin e situatave të ndryshme në trafik dhe respektim të standardeve të sigurisë.

Vështirësitë në rekrutim po ndikojnë kështu edhe në planet e VBZ-së për zgjerimin dhe përmirësimin e transportit publik në Cyrih.