Kosova

Çka u gjet në veturën me targa të Beogradit në Zveçan?

Çka u gjet në veturën me targa të Beogradit në Zveçan?

Organet e hetuesisë dhe sigurisë në Kosovë kanë arritur të parandalojnë një akt terrorist në komunën e Zveçanit.

Sipas njoftimit të policisë, vetura me targat të Serbisë ishte e mbushur me armatime.

“Siç edhe jeni njoftuar përmes kanaleve tona zyrtare, mbrëmë u identifikua një veturë me targa të Beogradit, rreth 100 m larg Komunës së Zveçanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Vetura që u konfiskua pastaj është një pronësi të “Hekurudhave të Serbisë”.

“Vetura që shihni këtu, me targa të Beogradit, e përfshirë në këtë rast, është evidentuar si pronë e një ndërmarrje publike shtetërore e Serbisë. Saktësisht “Shoqëria Aksionare Hekurudha e Serbisë”, tha tutje ministri, përcjell albinfo.ch.

“Unë do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat si Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada të shpallen organizata terroriste”, u shpreh Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar sasinë e madhe të armatimit që u konfiskua të premten në Zveçan në një veturë me targa nga Beogradi.

Sipas institucioneve të sigurisë, u parandalua një sulm terrorist ndaj qytetarëve të Kosovës.

Disa prej tyre janë konfiskuar, por drejtori i PK-së ka thënë se numri i armatimeve që janë futur në Zveçan nga Serbia është më i madh.

 

Çka u konfiskua në Zveçan të premten në mbrëmje?

Vetura A6

9 zolla

2 lansues

2 osa

1 predhë e minahadhësit

21 granata dore – të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it më 29 maj

20 predha të tromblonit

2 mbushës të barutit

10 armë të gjata automatike

1 revole

1 shurdhues të armëve

51 karikatorë të armëve të gjata

5 karikatorë të armëve të shkurtra

5756 fishekë të kalibrit të ndryshëm

18 koktej molotovi

17 mjete piroteknike

14 mjete tymosëse

5 thika ushtarake

11 jelekë antiplumb dhe taktik

9 uniforma ushtarake

1 dylbi

Maska kundër helmimit nga gazi

1 dyshek ushtarak për nevoja te snajperëve

Telefonë, tre radiolidhje dhe një sasi e narkotikëve.