Lajme

Cili ka qenë viti më i keq në histori për të qenë gjallë?

Shkenca e ka gjetur edhe përgjigjen e kësaj pyetjeje të çuditshme…

Përgatituni për të lexuar rreth një kohe në historinë e njerëzimit që duket sikur është shkëputur nga një film post-apokaliptik.

Ngjarjet e vitit 536 bënë që studiuesit e ditëve moderne të deklaronin së fundmi se ky vit ishte përfundimisht “viti më i keq për të jetuar” në histori.

Murtaja e 9-të e Egjiptit ishte një ngjarje që solli një errësirë të plotë që zgjati 3 ditë.

Por në vitin 536 pas Krishtit, pjesa më e madhe e botës u errësua për plot 18 muaj, ndërsa një mjegull misterioze u rrokullis mbi Evropën, Lindjen e Mesme dhe pjesë të Azisë.

Mjegulla bllokoi diellin gjatë ditës, duke shkaktuar uljen e temperaturave, dështimin e të korrave dhe vdekjen e s’dihet se sa njerëzve – duke bërë shumë historianë që ta quajnë këtë periudhë ‘epoka e errët’.

Vetëm ditët e sotme, studiuesit kanë qenë të aftë të zbulojnë një nga burimet kryesore të kësaj mjegulle.

Ekipi i Universitetit të Harvardit raportoi se në antikitet, një shpërthim vullkanik në Islandë në fillim të vitit 536, ishte ai që ndihmoi në përhapjen e hirit në të gjithë hemisferën veriore, duke krijuar mjegullën e pakuptueshme për njerëzit e asaj kohe.

Le të mos harrojmë.

Në atë kohë nuk kishte asnjë mënyrë për të kuptuar vendndodhjen e një ngjarjeje të tillë – si mediat e shkruara apo televizioni – ndaj përpiquni ta vendosni veten në pozicionin e njerëzve të asaj kohe, të cilëve u vjen një realitet kaq rrëqethës me të cilin duhet të përballen krejt papritur.

Ashtu si shpërthimi i malit Tambora i vitit 1815 – shpërthimi vullkanik më vdekjeprurës i regjistruar ndonjëherë – ky shpërthim ishte mjaft i madh, aq sa për të ndryshuar modelet e klimës globale, duke shkaktuar vite të tëra urie masive.

Si dukeshin saktësisht 18 muajt e parë të errësirës?

Historiani bizantin Prokopi shkroi se “dielli dha dritën e tij pa shkëlqim, si hëna, gjatë gjithë këtij viti”.

Ai gjithashtu shkroi se dukej sikur dielli ishte vazhdimisht në eklips; dhe se gjatë kësaj kohe, “njerëzit nuk ishin të lirë as nga lufta, as nga murtaja, e as nga ndonjë gjë tjetër që të çonte drejt vdekjes”.

Këto histori u panë për vite të tëra thjesht si një legjendë, deri në vitin 1990, kur sipas profesorit të historisë në Harvard, Michael McCormick, studiuesit ekzaminuan unazat e pemëve në Irlandë dhe zbuluan se diçka e çuditshme kishte ndodhur rreth vitit 536.

Verat në Evropë dhe Azi u bënë më të ftohta, në një kohë që në Kinë dëshmitarët kanë shkruar edhe për një ngjarje të çuditshme si ‘bora e verës’.

“Kjo Epokë e Vonë e Akullnajave antike, siç njihet, erdhi kur hiri vullkanik bllokoi diellin. Ishte një ndryshim mjaft drastik; ndodhi brenda natës”, thotë McCormick.

“Ne habitemi kur nuk shohim dot asnjë hije të trupit tonë në mesditë,” shkroi Kasiodorus, një politikan romak. Ai gjithashtu shkroi se dielli kishte një ngjyrë “kaltëroshe”, hëna kishte humbur shkëlqimin e saj dhe “stinët duken se janë të gjitha të përziera së bashku”.

Efektet e shpërthimit të vitit 536 u ndërlikuan edhe më tepër nga shpërthimet në vitin 540 dhe 547, dhe u desh një kohë e gjatë që Hemisfera Veriore të rikuperohej.

“Epoka e Vonë e Akullnajave Antike’, e cila filloi në pranverën e vitit 536, zgjati në Evropën Perëndimore deri rreth vitit 660, ndërsa në Azi deri në vitin 680”, thotë McCormick.

“Ishte fillimi i një prej periudhave më të këqija për të qenë gjallë, nëse jo viti më i keq”, tha McCormick për Science.

Kjo periudhë e të ftohtit dhe urisë shkaktoi stanjacion ekonomik në Evropë që u intensifikua në vitin 541 kur shpërtheu murtaja e parë bubonike.

Murtaja vrau një të tretën deri në gjysmën e popullsisë në Perandorinë Bizantine.

Pra, nëse mendoni se keni përjetuar vitin më të keq të jetës tuaj, mund të dëshironi ta mendoni përsëri tani që dini për vitin 536./Euronews