Kosova

Cendrine Berisha, nga Zvicra drejt botës së modës

Modelja shqiptare nga Zvicra, Cendrine Berisha, në një intervistë për revistën Albinfo.ch flet për rrugëtimin e saj në botën e modës, për përfaqësimin e Zvicrës në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli të Italisë, si dhe për planet e saj të ardhshme në pasarela dhe në gara të tjera të bukurisë.

Cendrine Berisha, po ndërton gradualisht karrierën e saj në botën e modës ndërkombëtare. E lindur në Zvicër, por me origjinë nga Kosova, ajo thotë se interesimi për modelingun ka qenë gjithmonë pjesë e saj, ndërsa me kalimin e kohës vendosi ta ndjekë këtë rrugë edhe në mënyrë profesionale.

Gjatë karrierës së saj, Berisha ka pasur mundësinë të paraqitet në disa revista të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Ellements Magazine, Stylecruze Magazine dhe Fashion Republic Magazine. Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me agjenci modelingu në Dubai, Zvicër dhe Gjermani, përvoja që, sipas saj, kanë ndikuar në zhvillimin profesional dhe në zgjerimin e mundësive në këtë industri. Një nga momentet e rëndësishme të saj ishte edhe pjesëmarrja në konkursin “Miss Europe Continental”, ku përfaqësoi Zvicrën në Napoli të Italisë.

 

Cendrine Berisha

 

Përveç modelingut, Berisha ka një përvojë katërvjeçare në teatër, që sipas saj ka ndikuar në rritjen e vetëbesimit dhe në zhvillimin personal. Për vitin 2026 ajo planifikon të marrë pjesë në disa sfilata të markës CRUEL në Berlin dhe Milano, si dhe të konkurrojë në Miss Kosova 2026. Modelja thekson se ndihet shumë e lidhur me Kosovën dhe se rrënjët e saj shqiptare mbeten një motiv i rëndësishëm për të përfaqësuar me krenari kulturën dhe identitetin e saj. Intervista e plotë

Intervista e plotë:

Albinfo.ch: Cendrine, a keni lindur në Zvicër? A mund të na tregosh pak për veten, origjinën?

Cendrine: Unë kam lindur në Zvicër dhe jam me origjinë nga Kosova, të dy prindërit e mi vijnë nga Kosova.

Albinfo.ch: Na trego më shumë rreth shkollimit që keni ndjekur në Zvicër?

Cendrine: Shkollimin e detyrueshëm e kam bërë në Zvicër, pastaj kam bërë një praktikë 3-vjeçare si punonjëse tregtare dhe kam përfunduar maturën profesionale në tregti

 

Cendrine Berisha

 

Albinfo.ch: A ishte e vështirë të ambientohesh me rrethin shoqëror në shtetin e Zvicrës?

Cendrine: Jo, nuk ishte shumë e vështirë, sepse kam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Shkolla dhe rrethi shoqëror më kanë ndihmuar të integrohem mirë.

Albinfo.ch: Çfarë të frymëzon më shumë në jetën e përditshme?

Cendrine: Më frymëzon mundësia për të shprehur veten dhe për të qenë një shembull pozitiv për të tjerët. Modelingu më jep mundësinë të tregoj kreativitetin dhe të punoj me njerëz të ndryshëm.

Albinfo.ch: Kur kuptove që dëshiron të bëhesh modele profesioniste?

Cendrine: Interesi për modelingun ka qenë gjithmonë pjesë e imja, por me kalimin e kohës e kuptova që dua ta ndjek si profesion.

 

Cendrine Berisha

 

Albinfo.ch: Sa e vështirë ka qenë integrimi juaj në tregun zviceran dhe më gjerë si modele?

Cendrine: Në fillim nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, sepse tregu i modelingut është shumë konkurrues. Por me punë, përkushtim dhe besim në veten time kam arritur të krijoj mundësi të mira.

Albinfo.ch: Cilat janë disa nga aktivitetet tuaja më të rëndësishme në fushën e modelizmit – sfilata, evente në Zvicër apo jashtë, reklama për marka?

Cendrine: Kam pasur mundësinë të paraqitem në disa revista të njohura në SHBA, si Ellements Magazine, Stylecruze dhe Fashion Republic. Më pas kam bashkëpunuar me disa agjenci modelingu në Dubai, Zvicër dhe Gjermani, të cilat më kanë ndihmuar të fitoj më shumë përvojë në modeling. Gjithashtu kam marrë pjesë në konkursin Miss Europe Continental, ku kam përfaqësuar Zvicrën në Napoli të Italisë. Këtë vit kam në plan disa sfilata për markën CRUEL në Berlin dhe Milano, si dhe pjesëmarrjen në konkursin Miss Kosova.

 

Cendrine Berisha

 

Albinfo.ch: A mund të na tregosh për pjesëmarrjen në “Miss Europe Continental,” si ka ndikuar dhe sa ka qenë emocionuse për ju?

Cendrine: Pjesëmarrja në “Miss Europe Continental” ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua. Ishte një nder të përfaqësoj Zvicrën dhe një mundësi shumë e mirë për të njohur njerëz të rinj dhe për të fituar më shumë përvojë në modeling.

Albinfo.ch: Çdo modele ka stilin dhe preferencat e saj për veshje, cilat marka apo firma janë më të pëlqyera për ju?

Cendrine: Më pëlqejnë shumë markat Zara, H&M dhe Bershka

Albinfo.ch: Si ka ndikuar përvoja e teatrit dhe udhëtimeve në zhvillimin tënd personal?

Cendrine: Përvoja në teatër dhe udhëtimet më kanë ndihmuar të zhvilloj vetëbesimin dhe të njoh kultura të ndryshme. Kjo më ka ndihmuar shumë edhe në modeling

Albinfo.ch: Cilat janë planet dhe aspiratat tuaja për të ardhmen si modele profesionale?

Cendrine: Për këtë vit kam në plan disa sfilata për markën CRUEL dhe pjesëmarrjen në konkursin Miss Kosova 2026. Në të ardhmen do të doja të bëja më shumë sfilata për krijime Haute Couture dhe të bëhem më e njohur si në Kosovë ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Albinfo.ch: Sa e lidhur ndiheni me Kosovën dhe si ndikojnë ato lidhje në jetën dhe karrierën tuaj?

Cendrine: Ndihem shumë e lidhur me Kosovën, sepse prej andej vjen familja ime. Kjo lidhje më motivon gjithmonë të përfaqësoj me krenari kulturën dhe rrënjët e mia.

 

Cendrine Berisha