Lajme

Britania rrit tarifat e aplikimit për pasaportë

Kostoja e aplikimit për një pasaportë në Britani do të rritet duke filluar nga muaji i ardhshëm, përcjell albinfo.ch.

Qeveria ka deklaruar se do të njoftojë tarifat e reja për aplikimin  e pasaportave prej 2 shkurtit, çka do të prekë ata që do të rinovojnë ose aplikojnë për mjetin e identifikimit.

Tarifa për një aplikim standard online i kryer nga brenda Mbretërisë së Bashkuar do të rritet në 82.50 Paund për të rriturit nga 75.50 që është aktualisht. Për pasaportat e fëmijëve pagesa e 49 Paundëve do të shkojë në 53.50.

Aplikimet postare do të rriten nga 85 Paund në 93 për të rriturit dhe nga 58.50 në 64 Paund për fëmijët.

Faqja zyrtare qeveritare që njofton propozimet shprehet: “Tarifat e reja do të ndihmojnë  administratën për të kaluar në një sistem që përputhet me kostot nëpërmjet atyre që e përdorin, duke reduktuar mbështetjen në financimin nga taksimi i përgjithshëm. Qeveria nuk ka asnjë përfitim nga kostot e aplikimit për pasaportë”.

“Tarifa do të kontribuojë në koston e procesimit të aplikimit për pasaportë, shërbimin konsullor jashtë kufirit, përfshirë për pasaportat e humbura ose të vjedhura dhe të regjistrimit të qytetarëve britanikë në kufijtë e vendit. Rritja do t’i mundësojë qeverisë vazhdimin e përmirësimit të shërbimeve të saj”.

Kjo është hera e parë në 5 vjet që rriten tarifat e aplikimit për pasaportë, shkruhet në deklaratë, duke shtuar se propozimet do të kalojnë nën vlerësimin e Parlamentit.