Kinema

Blerta Basholli: Filmi “Zgjoi” synon edhe promovimin e shtetit tonë, Kosovës

Në prag të shfaqjes së filmit "Zgjoi" në kinematë zvicerane, albinfo.ch ka intervistuar tri protagonistet e tij: Blerta Bashollin, Fahrije Hotin dhe Yllka Gashin

Filmi “Zgjoi” (Hive) i regjisores nga Kosova, Blerta Basholli, që nga premiera e tij ka kaluar një rrugë me suksese të konsiderueshme ndërkombëtare. Së fundi, pas shfaqjes në Festivalin e Filmit të Cyrihut (ZFF), “Zgjoi” ka hyrë në programin e rregullt të kinemave të Zvicrës gjermane. Shfaqja e tij fillon të enjten, më 7 tetor.

Pas pjesëmarrjes së filmit në festivalin e përmendur dhe në prag të shfaqjes në rrjetin e kinemave zvicerane, albinfo.ch ka intervistuar regjisoren, Blerta Basholli, bartësen e rolit kryesor në film, Yllka Gashi dhe Fahrije Hotin, gruan e guximshme nga Krusha e Madhe, rrëfimi jetësor i së cilës ka shërbyer për të realizuar filmin.

 

Në vijim, intervista me regjisoren, Blerta Basholli ndërsa nesër, e mërkurë, do të publikojmë intervistën me Fahrije Hotin dhe Yllka Gashin.

Albinfo.ch: Na tregoni pak për punën tuaj të deritashme si regjisore. A keni pasur filma artistikë në bagazhiun tuaj të deritashëm profesional?

Blerta Basholli: “Zgjoi” është filmi im i parë artistik i metrazhit të gjatë. Kam punuar më parë filma dokumentarë dhe artistikë por të metrazhit të shkurtër.

Albinfo.ch: Filmi i parë dhe i suksesshëm…

Blerta Basholli: Sikur gjithçka në jetë, edhe në film disa gjëra shkojnë me fat, do të thosha. Krahas  punës sigurisht shumë të madhe që e kemi shkrirë në film, them se për të pasur sukses duhet të të prijë edhe fati. Në rastin tonë, fakti se kishim një shembull (rrëfim) kaq të fuqishëm si ky i Fahrije Hotit, ka ndihmuar shumë. Vetë fati që ajo ekziston dhe që na ka mbështetur në realizimin e filmit ka qenë ndihmesë e madhe për ne. Po ashtu ndihmesë të madhe e quaj angazhimin e aktores së njohur, Yllka Gashi, në rolin kryesor, atë të Fahrijes. Ajo, që nga fillimi ka qenë në rrjedha me rrëfimin dhe me filmin prandaj paraqet gjithsesi një vlerë të shtuar për mua dhe filmin.

Me Yllkën e kemi vizituar Fahrijen në kohën kur unë ende nuk e kisha shkruar skenarin dhe më duhet të them se qysh në atë kohë, për Yllkën ka qenë i rezervuar roli kryesor në këtë film. Ne të dyja jemi identifikuar me karakterin e Fahrijes dhe kemi jetuar me të.

Albinfo.ch: Edhe specifika e temës: një grua si Fahrije Hoti, e cila tregon një guxim të rrallë në ato rrethana, përbën një ndihmesë shtesë për suksesin e veprës…

Blerta Basholli: Sigurisht, prania e saj ka qenë një shtysë e fuqishme që ta portretizojmë një grua të fortë sipas shembullit të saj, që rrallë ose fare nuk shihet në ekran.

Albinfo.ch: Ndërkohë, filmi është vlerësuar me disa çmime në festivalet ndërkombëtare.

 

Blerta Basholli: deri tani kemi marrë 9 çmime. Por sigurisht, satisfaksioini më i madh për ne ka qenë kur kemi marrë tre çmimet kryesore në Sundance festival, SHBA, një muaj më parë. Duhet përmendur se ka qenë rasti i parë në këtë festival të rëndësishëm që, në kategorinë e filmit të huaj një film t`i marrë të tre çmimet kryesore. Kjo ka qenë një shpërblim i jashtëzakonshëm pas gjithë asaj pune, mundi e dashurie që kemi investuar në film. Mandej, duhet theksuar edhe kjo: për ne, në këtë kontekst, ka rëndësi të madhe promovimi me sukses i shtetit tonë të ri, Kosovës.

Albinfo.ch: Kosova ka nominuar filmin tuaj për Oscar. Çfarë paraqet kjo konkretisht?

Blerta Basholli: Në këtë fazë bëhet fjalë vetëm për propozimin nga ana e Kosovës që filmi të hyjë në kategorinë e filmave që merren në konsideratë për të fituar çmimin Oscar, për film të huaj. Ka edhe shumë punë deri te hyrja eventuale në listën e ngushtë dhe kjo ka të bëjë shumë edhe me promovimin që duhet t`i bëjë shteti përkatës, në këtë rast Kosova, prodhimit të saj filmik, pra filmit “Zgjoi”.

Albinfo.ch: Diçka rreth pjesëmarrjes në ZFF. Në çfarë kategorie dhe a jeni në konkurrencë për çmime?

Blerta Basholli: Në festivalin e Filmit në Cyrih ne jemi në kategorinë “Borderline” që përfshin filma nga zona specifike të krizës dhe është një kategori me shumë rëndësi. Ndërsa arsyeja përse nuk jemi në konkurrencën zyrtare ka të bëjë me faktin se ne ishim në këtë kategori në festivalin në Karlovi Vari në Çeki kështu që organizatorëve të Cyrihut u është dashur të na fusin në kategorinë e përmendur, që për ne është po ashtu e përshtatshme, për shkak të tematikës së filmit.

Albinfo.ch: Filmi është një Koproduksion, veç tjerash edhe me Zvicrën. A ka bërë kjo që të ftohet të marrë pjesë në festivalin e Cyrihut?

Blerta Basholli: Sigurisht që producentët e shikojnë edhe përfitimin e tyre. Jo vetëm fakti se është (edhe) film zviceran por fakti që në Zvicër ka një komunitet të madh e të organizuar shqiptar, ka qenë shtysë për ta shfaqur filmin, fillimisht në festivalin ZFF dhe pastaj në rrjetin e kinemave të vendit.

 

Albinfo.ch: Keni plane konkrete rreth filmit ose punë që i keni tani nëpër duar?

Blerta Basholli: Aktualisht i kam skenarët e gatshëm për pesë filma. Dy prej tyre janë në një fazë më të avancuar ndërsa njëri është tashmë në realizim e sipër. Fjala është për një film që tematizon jetën e të rinjve, adoleshentëve të moshës sime në vitet `90 në Kosovë, në kushtet e okupimit. Kam përshtypjen se, ndryshe nga temat e luftës, kjo temë sikur i mungon kinemasë sonë. Mendoj se ka qenë një jetë megjithatë dinamike dhe disi “Underground” dhe ja vlen të bartet në film. Edhe ky film do të jetë në koproduksion me Zvicrën dhe edhe këtu do të luajë një rol Yllka.

Albinfo.ch: Filmi “Zgjoi” është propozuar nga Kosova për Oscar. Sa jeni optimiste se do të arrijë ta fitojë ose, të paktën të hyjë në listën e ngushtë?

Blerta Basholli: Me thënë të drejtën përpiqem të jem realiste dhe të mos ushqej shumë iluzione. Dihet se për të arritur deri në atë shkallë ka shumë hapa që duhen bërë sepse ka shumë shtete që aspirojnë këtë gjë dhe të gjitha ofrojnë në dispozicion paraprakisht  shuma të mëdha mjetesh për të promovuar filmat e tyre. Ndërsa ne në Kosovë, kemi bërë kërkesën muajin e kaluar por deri më tani nuk ka rrjedhur asgjë. Të shohim, nëse do të kemi mbështetjen e pritur, ne do ta nisim fushatën për të shkuar më tutje në atë drejtim.