Lajme

Si e sheh Mentor Bilali lehtësimin e procedurave për mjekët nga diaspora

Ka shumë punë për t’u bërë, është hapur vetëm një derë për zgjidhjen e problemeve

Në mbledhjen e 99-të të Qeverisë së Kosovës është marrë vendimi që mjekët nga mërgata të lirohen nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për të punuar në Kosovë, me kërkesë të institucioneve shëndetësore në Kosovë.

Pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, profesionistët nga mërgata mund të angazhohen në Kosovë nga 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve në një vit.

“U miratua vendimi për lirim nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për profesionistët shëndetësorë nga mërgata, të cilët me kërkesë të institucioneve shëndetësore të Republikës së Kosovës angazhohen përkohësisht në këto institucione. Pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, këta profesionistë shëndetësorë mund të angazhohen në institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës për një periudhë deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve në një vit”, thuhet në vendim.

Lidhur me këtë temë, për Albinfo.ch ka folur doktori shqiptar, Mentor Bilali, shef mjekësor i qendrës gastroenterologjike dhe endoskopisë në spitalin SRO Langenthal, Bernë dhe njëkohësisht mjek në ordinancën e tij në Kosovë.

“Mendoj që vendimi i fundit nga Qeveria për lehtësimin e procedurave për mjekët nga diaspora është vetëm një hap i mirë, i mundur që mjekësia në Kosovë të përmirësohet, në fakt, ka shumë mundësi për t’u përmirësuar, mirëpo ky është vetëm një hap, një kontribut që do ta ndihmojë mjekësinë. Por, jo vetëm me këtë, duhet ndjekur edhe shumë drejtime të tjera”, shprehet mjeku shqiptar nga Zvicra.

Për kthimin e mjekëve nga diaspora, qoftë shqiptarë, apo qoftë mjekë nga jashtë që kanë një diplomë të huaj, deri më tani, Kosova ka kërkuar një procedurë ligjore që ka kërkuar periudhë të gjatë kohore për të përkthyer një diplomë, për të bërë nostrifikimin e saj e disa kushte të tjera.

“Unë si mjek, kur kam ardhur në Kosovë, fillimisht ka qenë një rrugë burokratike që më është dashur ta kaloj, derisa unë personalisht si doktor që kam diplomuar në Zvicër, jam nostrifikuar apo kam marrë licencë për të punuar në Kosovë në ordinancën time. Kjo ka qenë një sfidë goxha e burokratizuar që mendoj se me këtë hap që ka bërë Ministri i Shëndetësisë, u ka lehtësuar atyre mjekëve që mund të kontribuojnë në vendlindje”.

Tutje, Bilali tregon se rregullimi i dokumenteve, përkthimi, nostrifikimi, etj., i kanë zgjatur rreth 7 – 8 muaj për t’u licencuar si mjek nga diaspora në Kosovë, ani pse ka qenë shtetas kosovar, nuk ka pasur ndonjë lehtësim në atë kohë.

Ndërkohë që me vendimin e fundit është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencimin e Profesionistëve Shëndetësorë të Huaj në Republikën e Kosovës. Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohet dhe lehtësohet procedura dhe kushtet e marrjes së licencës të profesionistit shëndetësor të huaj për ofrimin e kujdesit shëndetësor. Udhëzimi administrativ do të lehtësojë angazhimin e profesionistëve të huaj shëndetësorë në ofrimin e shërbimeve në sistemin shëndetësor të Kosovës”, thuhet në vendim.