Lajme

BE ofron azil për rusët që po ikin nga vendi

Personat që ikin nga Rusia pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për mobilizimin e pjesshëm të forcave të armatosura në vend, për të luftuar në Ukrainë, kanë të drejtë të kërkojnë azil në Bashkimin Evropian, njoftoi sot zëdhënësja përgjegjëse për migracionin e Komisionit Evropian, Anita Hipper.

“Kjo është një situatë e paprecedentë. Aplikimet do të duhet të shqyrtohen rast pas rasti, ndërsa puna vazhdon me vendet anëtare të BE-së për të gjetur një qasje të përbashkët”, tha Hipper, përcjell Albinfo.ch.

Roja kufitare finlandeze raportoi një rritje të fluksit nga lindja, të mërkurën në mbrëmje pas urdhrit të Putinit për një mobilizim të pjesshëm, ndërsa shtoi se në krahasim me periudhën para pandemisë numri i tyre ishte ende i vogël.

Udhëtimi midis Finlandës dhe Rusisë ishte një çështje shqetësuese edhe përpara urdhrit të mobilizimit, pasi turistët rusë që udhëtonin në bllok mes luftës në Ukrainë shkaktoi një zemërim të madh publik.

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto tha dje se Finlanda do të gjente zgjidhjen e saj për çështjen e vizave turistike ruse mes rritjes së udhëtimeve nga Rusia.

“Helsinki e ka trajtuar çështjen e vizave disa herë në BE, por kufiri me Rusinë nuk duhet të mbyllet plotësisht, pasi ka ende arsye legjitime për të hyrë në Finlandë”, tha ai.

Finlanda ndan një kufi prej 1340 kilometrash me Rusinë. Kjo do të thotë se vendi nordik ka kufirin më të gjatë me Rusinë krahasuar me vendet e tjera anëtare të BE-së.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI