Lajme

BE miraton përdorimin e vaksinës “Pfizer” te fëmijët e moshës 12-15 vjeç

Vaksina Pfizer/BioNTech është vaksina e parë kundër COVID-19 që miratohet për përdorim te fëmijët e moshës 12-15 vjeç nga BE-ja.

Deri më tani, vaksinat kundër COVID-19 kanë qenë në dispozicion vetëm për persona të moshës 16 vjeç e lart.

“Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka miratuar sot përdorimin e vaksinës nga Pfizer/BioNTech të quajtur Comirnaty, për adoleshentë nga 12 deri në 15 vjeç”, tha Marco Caveleri, përfaqësues i EMA-s.

“Vaksina ishte e autorizuar për përdorim nga mosha 16 vjeç e lart dhe tani kemi të dhëna që tregojnë se vaksina është e sigurt në moshën 12 deri në 15 vjeç”, shtoi ai.

BE nuk është fuqia e parë e madhe perëndimore që lejon të rinjtë të marrin vaksinën. Më parë këtë muaj, Shtetet e Bashkuara miratuan Pfizer/BioNTech për përdorim emergjent në moshat 12 deri në 15 vjeç, ku Administrata e Barnave në atë vend tha se përfitimet tejkalonin rreziqet e mundshme.