Kosova
BE: KOSTT dhe Elektrosever arritën marrëveshje për rrymën në veri
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe Elektrosever, më 18 tetor kanë arritur një marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë, ka njoftuar Bashkimi Evropian.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri.
BE-ja tha se marrëveshja është arritur nën ndërmjetësimin e saj, pasi Kosova kishte nisur procedurat e parapara në marrëveshje, për t’i hequr licencën kompanisë serbe Elektrosever për të operuar në Kosovë.
“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektroseveri ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, tha për REL një zëdhënës i BE-së, përcjell Albinfo.ch.
Blloku evropian ka bërë thirrje që palët të zbatojnë pa vonesa të gjitha obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi, pasi me afrimin e stinës së dimrit, sipas BE-së, nuk ka kohë për të humbur.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë pa vonesa të reja obligimet e tyre që kanë mbetur nga Udhërrëfyesi”, u tha në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së dërguar REL-it.
Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.
Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.
BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen.
Udhërrëfyesi për energjinë, por edhe pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë që qytetarët e dy shteteve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim – pa dokumente shtesë – përmenden si sukseset më të mëdha të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në këto dy muajt e fundit.
Burimet diplomatike i thanë REL-it se vizita e fundit në Kosovë dhe Serbi, e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, krahas temave të tjera, kishte për qëllim që të bindte palët që të zbatonin pa vonesa Marrëveshjen për Energjinë.
Lajçak u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor dhe katër ditë më vonë u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit me liderin serb, Lajçak deklaroi se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”./Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Rama në Michigan: Do të hapim konsullatën shqiptare, Shqipëria nuk është më vend mbijetese Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, gjatë vizitës së... -
Në një shkollë të Bronx-it, shqipja mësohet krahas anglishtes -
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions












