Lajme
BE-ja do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor
Serbisë iu bë e qartë: Qëndrimi prorus e largon nga BE-ja
BE-ja ka deklaruar se do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përcjell albinfo.ch.
Por, ka pengesa të mëdha: reformat e ngadalta, armiqësitë e vjetra dhe BE-ja ngurruese.
Ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin në Bruksel ftuan edhe gjashtë homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor për një drekë jozyrtare. Tema është e njëjta, si gjithmonë: Si mund të përshpejtohen bisedimet e antarësimit, që zgjasin prej vitesh, e me disa vende madje prej dekadash?
Dreka e së hënës (22.05.) po ashtu u zhvillua nën këtë moto dhe ishte e rëndësishme për një vlerësim serioz të situatës, veçanërisht në sfondin e samitit të BE-së me vendet kandidate për anëtarësim dhe fqinjët e tyre, që javën e ardhshme në Moldavi. “Ndoshta ne duhet ta bëjmë edhe më shpesh këtë”, tha i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, por njëkohësish edhe duke tërhequr vëmendjen veçanërisht ndaj Serbisë dhe Kosovës.
Qëndrimi prorus e përjashton anëtarësimin
Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Dacic, Borrell i theksoi se marrëdhëniet e ngushta me Rusinë nuk përshtaten më me anëtarësimin në BE. Rusia, që zhvillon luftë kundër Ukrainës, do të përballet me sanksione më të ashpra nga BE-ja, që nuk do të pranohen nga Serbia. “Ju dëmtoni interesat tuaja kombëtare, por qëndrimi nuk është në përputhje me procesin e zgjerimit”, tërhoqi vëmendjen Josep Borrell. “Marrëdhëniet e ngushta me Rusinë nuk shkojnë më, e kjo nuk vlen vetëm për Serbinë”.
Me Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqeoninë e Veriut BE-ja po zhvillon bisedimet e anëtarësimit. Bosnjë e Hercegovina është kandidate për bisedime, por ende konsiderohet si jo e qëndrueshme. Kosova ende nuk është njohur as prej Serbisë dhe as prej pesë vendeve anëtare të BE-së, ndaj është vetëm një kandidate e mundshme për anëtarësim. Për disa prej jush do të ketë “vendime strategjike” të BE-së, deklaroi Josep Borrell, por jo për ata që pranojnë politikën ruse të agresionit.
Më në fund, të bëhemi “miq dhe partnerë”
Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës gjatë muajve të fundit është përshkallëzuar herë pas here dhe, sipas mendimit të Borrell, bllokon çdo përparim në bisedimet e anëtarësimit. Shtetet e BE-së nuk kanë dëshirë të pranojnë shtete, që nuk janë në gjendje të zgjidhin konfliktet mes tyre, thuhet nga diplomatët e BE-së në Bruksel.
Borrell tha se u ka thënë të dyja palëve, se shtetet që në të shkuarën kanë luftuar me njëri-tjetrin, mund të bëhen miq dhe partnerë. Bëhet fjalë për bashkëjetesën. Prandaj Prishtina dhe Beogradi duhet ta zbatojnë më në fund marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Mësim nga Ukraina?
Në samitin javën e ardhëshme do të jenë të përfaqësuar edhe kandidatët e rinj për anëtarësim Ukraina dhe Republika e Moldavisë, që për shkak të luftës sulmuese ruse vitin e kaluar e morën në kohë rekord statusin e preferuar të vendit kandidat. Qeveritë në Kiev dhe në Kishinau shpresojnë, që gjatë vitit do të mund të fillojnë edhe bisedimet zyrtare për anëtarësim. Nëse arrihet kjo, atëherë Ukraina dhe Moldavia brenda 20 muajsh do të realizojnë atë që vendet e Ballkanit nuk e kanë arritur në 20 vjet, thonë diplomatët e BE-së në Bruksel.
Kjo mund të krijonte një lloj zilie apo qendrim konkurrues tek vendet në procesin e antarësimit. Komisioni i BE-së në raportin e progresit vlerëson përparimet e jashtëzakonshme që kanë arritur Ukraina dhe Moldavia në luftën kundër korrupsionit dhe reformat e shtetit ligjor. Në Ballkan duket se të gjitha kanë zgjatur shumë më tepër. “Ukraina po avancon, të tjerët duhet të ndjekin këtë shteg dhe të shfrytëzojnë shansin”, theksoi i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme.
Kancelari gjerman Olaf Scholz në fjalën e tij përpara Parlamentit Europian në Strazburg në fillim të majit bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Nuk mund të pranohet që një proces i tillë të zgjasë 20 vjet. Kjo ka të bëjë edhe me besueshmërinë ndaj premtimeve të BE-së, sipas tij. Po ashtu kancelari theksoi se BE-ja vetë duhet të reformohet për të qenë e aftë të përballojë zgjerimin. /DW
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”











