Kosova

Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

I dyshuari i tretë u ndalua në kuadër të hetimeve për krimet e luftës në zonën e Mitrovicës, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet lidhur me varrezën e dyshuar masive në Kalludër.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar edhe një person të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, duke e çuar në tre numrin e të arrestuarve në kuadër të hetimeve që lidhen me ngjarjet e luftës në zonën e Mitrovicës.

Sipas Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, arrestimi është pjesë e hetimeve për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”. Rasti lidhet edhe me gërmimet që po zhvillohen në fshatin Kalludër të Vogël, ku autoritetet dyshojnë se ndodhet një varrezë masive me viktima të luftës së fundit në Kosovë.

Më herët, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë bastisjeve ishin sekuestruar prova që, sipas autoriteteve, dëshmojnë se njëri nga të arrestuarit kishte qenë pjesë aktive e ish Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës. Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Kryeprokurori Blerim Isufaj ka bërë të ditur se në lokacionin ku po zhvillohen gërmimet janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore, ndërsa identifikimi i tyre do të kryhet përmes analizave të ADN-së. Institucionet e Kosovës dyshojnë se varreza mund të lidhet me zhdukjen e një grupi civilësh shqiptarë gjatë luftës, por identiteti i viktimave do të konfirmohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.