Lajme

Arabia Saudite investon 6 miliardë euro për tri parqe argëtimi pranë Parisit

Projekti pritet të krijojë rreth 22 mijë vende të drejtpërdrejta pune, ndërsa njëri prej parqeve mund t'i kushtohet universit të "Dragon Ball"

Franca dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e tri parqeve të mëdha të argëtimit pranë Parisit, një projekt që parashikon investime prej rreth 6 miliardë eurosh dhe krijimin e mijëra vendeve të punës.

Marrëveshja është nënshkruar të hënën, më 24 gusht, gjatë vizitës në Paris të princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ndërsa parqet pritet të ndërtohen në zonën e Cergy-Pontoise, në Val-d’Oise, përcjell albinfo.ch.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka cilësuar projektin si një investim të paprecedentë, duke bërë të ditur se priten rreth 6 miliardë euro investime saudite dhe afërsisht 22 mijë vende të drejtpërdrejta pune.

Njëri prej tri parqeve mund t’i kushtohet universit të mangave dhe, në veçanti, “Dragon Ball”. Sipas Presidencës franceze, ideja për projektin lindi gjatë një bisede mes Macronit dhe Mohammed bin Salmanit në dhjetor të vitit 2024 në Riad, kur të dy kishin diskutuar interesimin e tyre për manga.

Projekti do të realizohet nga Qiddiya Investment Company, kompani në pronësi të fondit sovran saudit Public Investment Fund. Tematika e dy parqeve të tjera ende nuk është bërë e ditur, ndërsa ndërtimi dhe hapja e tyre pritet të bëhen në faza gjatë disa viteve të ardhshme.

Zona e Cergy-Pontoise është përzgjedhur, ndër të tjera, për lidhjet e mira me Parisin dhe afërsinë me Disneyland Paris. Autoritetet franceze synojnë që projekti të shndërrohet në një destinacion të ri ndërkombëtar turistik dhe të forcojë më tej pozitën e Francës si një nga destinacionet kryesore turistike në botë.