Muzikë
Ansambli “Shqiponja”: Vallëzim, identitet dhe krenari shqiptare në Zvicër
“Integrohuni me dinjitet, arsimohuni dhe ndërtoni të ardhmen tuaj, por kurrë mos harroni rrënjët”
Në zemër të Zvicrës, një grup të rinjsh shqiptarë të brezit të dytë po ruajnë me përkushtim dhe pasion trashëgiminë kulturore të të parëve përmes vallëzimit tradicional. Ansambli “Shqiponja”, i riformuar në vitin 2022 nga motrat Barbara dhe Denisa, është më shumë se një grup artistik – është një mision për ta bërë të dukshme dhe të gjallë kulturën shqiptare në diasporë. Në këtë intervistë, zbulojmë historinë, vizionin, sfidat dhe sukseset e këtij ansambli që po ngjall frymëzim në mesin e të rinjve shqiptarë në Zvicër.
Intervistë me Denisa Merturin, kryetare e Ansamblit “Shqiponja”
Albinfo.ch: Kur dhe si është themeluar Ansambli “Shqiponja”?
Denisa Merturi: Ansambli “Shqiponja” u themelua para disa vitesh, por fatkeqësisht nuk arriti të qëndronte gjatë. Unë vetë isha pjesë e grupit gjatë viteve 2013/2014, periudhë në të cilën përjetova momente të bukura përmes vallëzimit dhe ruajtjes së kulturës sonë. Pas kësaj kohe, grupi u shpërbë.
Tetë vite më vonë, pasi motra ime Barbara dhe unë përfunduam me sukses studimet në ekonomi, dhe pasi kishim më shumë kohë të lirë, vendosëm të riktheheshim te pasioni ynë i përbashkët – vallëzimi. Me shumë përkushtim dhe dashuri për traditën, në nëntor të vitit 2022 ne e riformuam Ansamblin “Shqiponja”, me synimin për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë tonë kulturore përmes vallëzimit folklorik shqiptar.
Albinfo.ch: Cili është misioni dhe vizioni i ansamblit tuaj?
Misioni: Të ruajmë, promovojmë dhe rikthejmë me krenari traditat e valleve shqiptare, duke i sjellë ato në skenë me energjinë, kreativitetin dhe shpirtin e brezit të ri.
Vizioni: Të bëhemi një ansambël frymëzues për gjithë brezat e rinj shqiptarë, duke treguar se kultura jonë tradicionale mund të ruhet me krenari dhe njëkohësisht të përshtatet me kohën.
Albinfo.ch: Çfarë roli luan ansambli në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Zvicër?
Denisa Merturi: Ansambli shërben si një urë lidhëse mes brezave dhe si një hapësirë identiteti, ku të rinjtë ndihen krenarë për origjinën e tyre dhe njëkohësisht të integruar në shoqërinë zvicerane. Me pjesëmarrjen tonë në evente të ndryshme kulturore, ne e bëjmë kulturën shqiptare të dukshme dhe të vlerësuar në një shoqëri multikulturore.
Albinfo.ch: Cilat janë aktivitetet më të rëndësishme apo paraqitjet publike që keni realizuar?
Paraqitjet më domethënëse për ne kanë qenë në festa kulturore dhe lagjesh në Zvicër. Aty kemi prezantuar vallet tona tradicionale, veshjet dhe ushqimet shqiptare, duke ofruar një përvojë të plotë kulturore për publikun ndërkombëtar.
Albinfo.ch: Sa anëtarë ka ansambli dhe çfarë grupmoshash përfshihen?
Denisa Merturi: Aktualisht kemi rreth 30 anëtarë, të moshës 14 deri në 31 vjeç.
Albinfo.ch: Si e përfshini rininë shqiptare në aktivitetet tuaja kulturore?
Denisa Merturi: Rinia është në qendër të aktiviteteve tona. Ata angazhohen jo vetëm në prova dhe performanca, por edhe në organizim eventesh dhe promovimin e kulturës përmes rrjeteve sociale si Instagram e TikTok.
Albinfo.ch: Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur në ruajtjen e traditës në diasporë?
Denisa Merturi: Është sfidë të mbash gjallë gjuhën, vallet dhe zakonet shqiptare në një mjedis të huaj. Kjo kërkon përkushtim të madh, por pikërisht kjo e bën punën tonë më të vlefshme. Tradita na jep identitet, qëndresë dhe krenari.
Albinfo.ch: Për cilat arritje ndiheni më krenarë si ansambël?
Denisa Merturi: Ndjejmë krenari për bashkëpunimin me DJ UKAY dhe performancën tonë në Alba Festival, ku bashkuam vallet tradicionale shqiptare me ritmet moderne të muzikës house.
Albinfo.ch: A bashkëpunoni me ansamble apo organizata të tjera shqiptare në Zvicër apo më gjerë?
Denisa Merturi: Po. Bashkëpunojmë ngushtë me Misionin Katolik Shqiptar në Luzern dhe me Prof. Dr. Don Anton Uka. Koreografi ynë është Arsim Berisha nga Studio Artistike “Fenix”. Gjithashtu, kemi mbështetje dhe bashkëpunim me shoqata si “Freundschaft Sursee” dhe “Nëna Terezë”, si dhe me ansamble si “Arbëresha” Sirnach dhe Shoqata “Gjergj Kastrioti”.
Albinfo.ch: Si e shihni të ardhmen e Ansamblit “Shqiponja” në Zvicër dhe rolin tuaj në komunitet?
Denisa Merturi: E ardhmja e “Shqiponjës” është e lidhur me përfshirjen dhe fuqizimin e rinisë. Ne synojmë të rritemi, duke ruajtur traditën përmes formave kreative dhe moderne, dhe të krijojmë hapësira ku të rinjtë ndihen krenarë për origjinën e tyre.

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni për të rinjtë shqiptarë që duan të mbajnë gjallë kulturën dhe identitetin kombëtar në diasporë
Denisa Merturi: Mesazhi ynë është: Integrohuni me dinjitet, arsimohuni dhe ndërtoni të ardhmen tuaj, por kurrë mos harroni rrënjët. Mbani gjallë gjuhën, vallet, muzikën dhe vlerat shqiptare – ato janë thesari ynë më i çmuar në çdo cep të botës.
Urë lidhëse mes brezave
Ansambli shërben si një urë lidhëse mes brezave dhe si një hapësirë identiteti, ku të rinjtë ndihen krenarë për origjinën e tyre dhe njëkohësisht të integruar në shoqërinë zvicerane. Me pjesëmarrjen tonë në evente të ndryshme kulturore, ne e bëjmë kulturën shqiptare të dukshme dhe të vlerësuar në një shoqëri multikulturore.
E-Diaspora
-
Dënim i përjetshëm për të burgosurin shqiptar: Ka vrarë një të burgosur tjetër Ai tashmë po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje. Tani, personi 43-vjeçar... -
Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës, rritet fluksi në pikat kufitare -
Kush është shqiptari që ishte pjesë e triumfit të Spanjës në Botërorin 2026? -
Orges Bytyqi përfundon me sukses kursin TOEFL dhe nis studimet në Eötvös Loránd University -
Zvicër
Hekuran Bytyçi doktoron në Zvicër dhe merr pozitë udhëheqëse në kardiologji
Jeta në Austri
-
Linz, Austri: Policia shpëton nga vdekja kosovaren, nënë e dy fëmijëve Incidenti dramatik ndodhi rreth orës 6:10 të mëngjesit kur një burrë 29-vjeçar nga Kosova zbuloi gruan... -
Austri: Paralajmërohen stuhi, niveli i kuq i paralajmërimit për disa zona -
Zakir Popaj, pianisti shqiptar që performon në kafenetë më prestigjioze të Vjenës -
Austri
Dy të rinj shqiptarë organizojnë forumin ndërkombëtar “Future Diplomats” në Austri -
Kurrikula e re e shkollave të mesme austriake shton inteligjencën artificiale, demokracinë dhe median















