Kosova

Ambasada e Francës: Qeveria nuk u konsultua për shpalljen si terroriste të organizatave në veri

Ambasada e Francës në Kosovë ka shprehur zhgënjimin e saj sa i përket shpalljes si terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut”.

Në një përgjigje për Klankosovën, Ambasada e Francës thotë se nuk është konsultuar dhe as informuar nga Qeveria e Kosovës për vendimin për shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut” si organizata terroriste.

“Ne as nuk jemi konsultuar dhe as nuk jemi informuar paraprakisht për vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpalljen e organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e veriut’ si organizata terroriste”, thuhet në përgjigjen Ambasadës franceze, përcjell albinfo.ch.

Ambasada po ashtu ka kërkuar sa më shpejt zgjedhje të reja në veri të Kosovës, në mënyrë që të arrihet shtensionimi i situatës.

“Rikujtojmë pritshmërinë e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të saj në lidhje me Qeverinë e Kosovës me qëllim të deeskalimit të situatës në veri të Kosovës”.

Këto janë tërheqja e forcave speciale nga afërsia e objekteve komunale; ushtrimi i funksioneve nga kryetarët e komunave në objekte alternative; organizimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të Kosovës; rifillimi i dialogut me synim normalizimin dhe në veçanti përparimin lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim pa u koordinuar me aleatët e saj, përcjell albinfo.ch.