Lajme

Alarm në Cyrih: Notarët gjejnë një granatë dore në shtratin e lumit

Një granatë dore e mbetur nga ish-Jugosllavia është gjetur në lumin Limmat në Cyrih. Pajisja shpërthyese u largua dhe u neutralizua nga ekspertët, ndërsa askush nuk mbeti i lënduar.

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur të enjten në një zonë të njohur për larje në Cyrih, ku disa notarë kanë zbuluar një granatë dore në shtratin e lumit, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, personat që po laheshin në zonën Unterer Letten kanë vërejtur një objekt të dyshimtë në fund të lumit Limmat, i cili dukej si një granatë dore.

Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zhytësit e policisë, të cilët kanë konfirmuar se bëhej fjalë për një mjet shpërthyes. Granata ndodhej rreth një metër larg bregut të lumit.

Për shkak të rrezikut, autoritetet kanë angazhuar njësinë e specializuar të ushtrisë zvicerane për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese. Dy ekspertë kanë kryer një tjetër zhytje për të nxjerrë granatën nga uji.

Gjatë operacionit, policia ka bllokuar zonën përreth për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Më pas, granata është transportuar me një automjet të specializuar nga Instituti i Shkencave Forenzike të Cyrihut, ku është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar.

Sipas autoriteteve, granata ishte me origjinë nga ish-Jugosllavia, ndërsa rrethanat se si përfundoi në lumin Limmat mbeten ende të paqarta. /Albinfo.ch