Integrimi
A mund të kemi një deputet shqiptar në Parlamentin Austriak?
A është mos prezenca e asnjë shqiptari në parlament si pasojë e kandidimit të shqiptarëve në parti të ndryshme apo e adresimit të kandidatëve shqiptarë vetëm brenda komunitetit të tyre?
Zgjedhjet e 29 shtatorit të mbajtura në Austri, treguan edhe një herë se shqiptarët që jetojnë në këtë shtet nuk janë edhe aq mirë të organizuar. Nga tri kandidate shqiptare që konkurruan për t‘u bërë pjesë e Parlamentit Austriak, fatkeqësisht asnjëra nuk arriti të fitojë vota që të jetë zëri i bashkatdhetarëve që jetojnë në këtë shtet.
Kandidatet shqiptare Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi të cilat garuan në partinë ÖVP nuk patën dëshirë të komentojnë shumë arsyet e mos votimit. „Faktorët janë të shumtë, por sigurisht se njëri prej tyre është edhe mos dalja e shqiptarëve në zgjedhje që do të thotë mos përkrahja e komunitetit tonë“, thotë Drita për „albinfo.ch“.
Ndërkohë Ina Rexhepi shprehet më optimiste: „Qëllimi ka qenë që të jam një zë i qytetarëve tanë që jetojnë në Austri, por kjo nuk ishte në dorën time. Megjithatë, unë jam optimiste dhe do të garoj edhe në zgjedhje të tjera“.
Ganimete Bajraktari: Duhet të jetë një kandidat që nuk do të presë vota vetëm nga shqiptarët
Në anën tjetër aktivistja e njohur shqiptare në Austri, Ganimete Bajraktari mendon se mundësia e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në Parlamentin Austriak nuk varet gjithmonë edhe nga vullneti i bashkatdhetarëve tanë. „Austria njihet si shtet me qëndrim konservator dhe si komb e ruan krenarinë e vet. Në Austri kemi komunitete më numër shumë më të madh dhe prapë nuk arrijnë të thyejnë akullin drejt përfaqësimit në parlament“, thotë ajo për „albinfo.ch“.
Zonja Bajraktari mendon se gjenerata e dytë (e lindur në Austri) votën e adreson në programin që konsiderojnë se i përmbush aspiratat e tyre. „Kjo gjeneratë nuk e adreson votën e vet në bazë të përkatësisë kombëtare. Fëmijët tanë kanë krijuar identitetin e tyre që nuk ndryshon fare nga të tjerët“, shprehet Ganimete Bajraktari duke shtuar se në të ardhmen duhet të kemi një kandidat me bagazh të njohur edhe për publikun austriak i cili përveç votave të shqiptarëve do të llogariste edhe në vota të austriakëve.
Hazir Mehmeti: Po të jemi të bashkuar, mund të jemi në Parlamentin Austriak
Për moszgjedhjen e asnjë kandidati shqiptar në Parlamentin Austriak albinfo.ch ka biseduar edhe me mësuesin, aktivistin dhe publicistin shqiptar në Austri, Hazir Mehmetin. Ai shprehet se mos prezenca e asnjë shqiptari në parlament është pasojë e mos organizimit dhe mos informimimit të shqiptarëve si dhe gara e kandidatëve shqiptarë në parti të ndryshme. Gara në parti të krahut të majtë apo të djathtë e shuan efektin e votimit mu atëherë kur do të duhej bashkimi rreth një kandidati.
„Kandidatët shqiptarë sikur i konkurrojnë njëri – tjetrit dhe nuk janë seriozë në komunikimin me votuesit shqiptarë. Nuk koordinojnë veprimet e tyre, nuk bëjnë fushatë sa duhet, nuk afrohen me komunitetin shqiptar për të dëgjuar hallet dhe brengat e tyre, mungon informimi, e shumë faktorë të tjerë“, thotë ai.
Mësuesi Hazir Mehmeti është i bindur se shqiptarët në Austri kanë bazë të fuqishme për organizim, kanë potencial intelektual dhe imazh shumë të mirë në Austri. Po ashtu, sipas tij, këtu ka personalitete shqiptare që do të mund të përfaqësonin denjësisht komunitetin tonë.
„Po të krijonim lobim të mirëfilltë shqiptar ku të gjitha shoqatat dhe klubet do të përfaqësoheshin në orientim rreth një kandidati dhe një subjekti politik, do të ishte shumë e mundur që të kemi edhe një shqiptar në Parlamentin e Austrisë“, potencoi ai për albinfo.ch.
Në zgjedhjet e 29 shtatorit të mbajtura në Austri për partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) garuan dy shqiptare: Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi, ndërsa për Partinë Socialdemokrate (SPÖ) ka garuar Serafina Demaku.
Zgjedhjet i fitoi bindshëm partia ÖVP dhe kryetari Sebastian Kurz me afro 38 % i cili pritet të jetë sërish kancelar i Austrisë.
E-Diaspora
-
Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit Për shumë shqiptarë, ai është një mesazh respekti dhe njohjeje ndaj një komuniteti që shpesh ka... -
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit -
Gjenevë
Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë -
Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, çelës për zhvillim ekonomik -
Zvicër
“Një gjuhë për dhimbjen”, historia e një familjeje kosovare nominohet për çmimin prestigjioz të gazetarisë në Zvicër
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten















