Lajme
Spektakli Kosovë – Shqipëri, përfundoi baras (2:2)
Miqësorja në futboll ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u konsiderua si spektakël i vërtetë. Stadiumi i Prishtinës ishte i vogël për t’i zënë dhjetar mijëra shikues
Një spektakël i vërtetë ka ndodhur sot në stadiumin kryeqytetit në Prishtinë, në ndeshjen miqësore në futboll ndërmjet reprezentacionit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Ndeshja e cilësuar si vëllazërore, ka përfunduar me rezultat të barabartë 2:2, ndërsa për herë të parë, pas gati 30 vjetësh, stadiumi ishte i vogël për t’i zënë dhjetëra mijëra spektatorë.
Shikuesit, të cilët rrinin në këmbë pasi që ishte e pamundur të uleshin në tribuna, i ngjasonin ndeshjeve derbi të Prishtinës të viteve ’80 kur në futbollin e ish-Jugosllavisë, lunte plejada e Fedil Vokrrit.
Megjithatë, gjatë gjithë kohës disa grupe simpatizantësh, kryesisht “Plisat” e klubit “Prishtina”, kanë krijuar një atmosferë impozante që nuk ndodhë shpesh në futbollin rajonal. Ata, sikurse edhe shumica e shikuesve i kanë mbështetur të dy kombëtaret.
Golin e parë në ndeshje dhe të parin për Shqipërinë e shënoi Rey Manaj, i cili ka shënuar menjëherë pas hyrjes në lojë, kur u zëvendësua nga Sokol Cikalleshi. Lojtari i Interit, duket se kësaj radhe ishte shumë me fat, pasi që për të parën herë që preku topin, përfundoi në rrjetë.
Kombëtarja e Kosovës kishte më shumë raste
Pas disa minutave ishte Bersant Celina, talenti tjetër shqiptar që barazoi rezultatin në minutën e 58’, duke shënuar nga penaltia, pas një ndërhyrje nga Taulant Xhaka. Në minutën e 69’ Elbasan Rashani i Kosovës, duke kaluar për mrekulli Amir Rrahmanin brenda zonës, mposhti portierin Berisha. Ndërsa ishte Rrahmani, ai që përmirësoi gabimin, duke shënuar golin e fundit të takimit në minute e 72’
Po ajo, që vlen të theksohet nga ky takim, kombëtarja e Kosovës kishte dhe disa raste për shënim, madje në pjesën e parë qëlluan edhe transversalen.
Ndryshe, takimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka filluar edhe aq mirë për mbrojtësin e Kosovës, Ilir Berisha, pasi me të filluar takimi është lënduar. Ai u detyrua të largohet nga fusha dhe të transferohet në spital në minutën e 3’ të takimit, për t’i lëshuar vendin Alban Pnishit.
Bunjaku e De Biasi të kënaqur me lojën
Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, ka thënë se është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, por ai thotë se ende është herët që Kosova të krahasohet me Kombëtaren shqiptare, e cila është kualifikuar për pjesëmarrje në kampionatin Evropian “Franca 2016”.
“Është herët ta krahasojmë Kosovën me Shqipërinë sepse kjo Shqipëri është më e mira në historinë e saj. Neve na mbetet të punojmë edhe më shumë në të ardhmen. Jam i kënaqur me paraqitjen e gjithë ekipit”, ka thënë Bunjaku pas ndeshjes.
Ndërsa përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, italiani Gianni De Biasi ka thënë se ishte një ndeshje shumë e mirë me një atmosferë të jashtëzakonshme që krijuan tifozët në stadium. Ai se “luajtëm kundër vëllezërve tanë”, në ndeshjen që Kosova barazoi 2:2 me Shqipërinë.
“Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme. Nuk ishte e lehtë që të luanim ndaj Kosovës duke e parë dashurinë që kanë mes veti këto dy vende. Po ashtu edhe fusha nuk ishte në nivel, por në fund të gjithë u ndan të kënaqur. Ishte ndeshje vëllazërore, luajtëm kundër vëllezërve tanë”, ka thënë De Biasi.
Cana i kënaqur me spektaklin që ofruan shikuesit
President i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, ka thënë se përfaqësuesja e Kosovës meritoi më shumë se një barazim ndaj Shqipërisë.
“Përfaqësuesja e Kosovës luajti më mirë se Kombëtarja jonë. 2:2 është një rezultat që i kënaq gjithë shqiptarët, por besoi se ata mund të shënoi më shumë gola dhe ishin më të mirë se ne. Nëse do ta bënin këtë do të ishte më se e merituar”, ka deklaruar Duka, i cili bashkë me Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, përshëndetën çdo lojtarë në fillim të ndeshjes.
“Ishte ndeshje mjaft e mirë. Do të bëjmë përpjekje për përmirësim të infrastrukturës. Ndërsa treguam se mund të bëjmë dy ekipe të forta reprezentuese”, u shpreh ndërkaq Vokrri.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, është shprehur shumë i lumtur për ndeshjen miqësore me Kosovën, veçmas me atmosferën e krijuar në stadium. “Atmosfera ishte fantastike ashtu siç e kemi pritur. Ishte një festë mbarëshqiptare”, ka thënë Cana.
“Është hera e parë që ky ekip luan këtu. Kosova ka disa lojtarë shumë cilësorë si Besart Celina pastaj Berndard Berisha, por kjo skuadër ka edhe lojtarë tjerë cilësorë. Mendoj se Kosova është një ekip që është duke u rritur me lojtarë cilësorë”, ka deklaruar Cana, që konsiderohet si ikonë e kombëtares kuqezi.
Dallku e Curri u pensionuan nga Kombëtarja
Kurse mesfushori i Përfaqësues së Kosovës, Bersant Celina, është shprehur shumë i lumtur me golin e shënuar duke shpresuar që të shënojë edhe shumë të tjerë në fanellën e Kosovës.
“Kemi treguar ndeshje të fortë dhe karakter në këtë ndeshje. Kemi mundur të shënojmë ndoshta edhe dy gola por fati nuk ishte me ne. Ishte një ndeshje e vështirë ndaj Shqipërisë, mirëpo ne treguam lojë shumë të mirë. Jemi një ekip shumë të mirë”, u shpreh Celina.
Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, është shprehur i kënaqur me paraqitjen dhe lojën e krijuar, duke folur edhe për disa lojtarë të Kosovës.
“E kemi pritur që do të jetë një atmosferë të tillë. Shpresoj që të gjithë tifozëve t’i kemi dhuruar kënaqësi me këtë paraqitje. Ky rezultat besoj që është rezultat real për të dyja ekipet””, u shpreh Berisha, portieri i Lacios në Itali .
Ndryshe, në këtë ndeshje, dy futbollistët kosovarë, Debatik Curri e Armend Dallku, janë pensionuar nga Kombëtarja me një ceremoni përshëndetëse. Debatik Curri, 30-vjeçar me Shqipërinë ka luajtur nga viti 2006 dhe në total ka zhvilluar 44 ndeshje, duke shënuar një gol. Ndërsa Armend Dallku, 32-vjeçar për Shqipërinë ka luajtur që nga viti 2005 dhe në 64 ndeshje ka shënuar po ashtu një gol.
E-Diaspora
-
Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të... -
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”


















