Lajme

Dështimi në UNESCO: Humbja që dhemb

Për pranimin e Kosovës në UNESCO janë nevojitur 95 vota, ndërkaq që në favor të këtij vendimi kanë votuar 92 vende, 50 kanë qenë kundër dhe 29 kanë abstenuar

Diplomacia kosovare e humbi betejën për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), pasi që nuk arriti t’i merr dy të tretat e votave në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate. Kjo humbje, bëhet edhe më e madhe, pasi që Kosova nuk arriti vetëm për tri vota të anëtarësohet në UNESCO.

Derisa në Prishtinë, humbja e kësaj beteje pritet me shumë shqetësim, në Beograd është festuar. Madje lidershipi serb thotë se Serbia nuk humbë asnjëherë, pavarësisht presioneve diplomatike.

Për pranimin e Kosovës në UNESCO duheshin votat e më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të kësaj organizate, të pranishme në punimet e sotme. Votimit për anëtarësim i parapriu një kërkesë e delegacionit të Serbisë, për ta shtyrë votimin e sotëm, por e cila kërkesë nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme.

Megjithatë, në votimin për pranimin e Kosovës në UNESCO, për pranimin e Kosovës në UNESCO janë nevojitur 95 vota, ndërkaq që në favor të këtij vendimi kanë votuar 92 vende, 50 kanë qenë kundër dhe 29 kanë abstenuar.

Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku ka reaguar nëpërmjet postimi në Twitter duke thënë turp që Kosova nuk u anëtarësua në UNESCO për 3 vota. “Turp, vetëm për 3 vota”.

Keqardhjen e thellë për mungesën e konsensusit ndërkombëtar për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në UNESCO, e ka shprehur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili aktualisht është duke qëndruar për vizitë në kryeqytetin e Lituanisë, Vilniusi.

“Fatkeqësisht, orientimi i qartë pro-perëndimor i Kosovës si dhe gatishmëria e saj për të çuar përpara të gjitha agjendat konstruktive, i ka penguar Serbisë, e cila ka ndërmarrë në vazhdimësi, por sidomos gjatë këtij procesi, një fushatë raciste kundër Kosovës. Kjo ka ndikuar tek disa shtete që ndajnë interesa të përbashkëta me aleatët e Serbisë. Por, kjo nuk na zmbraps aspak”, ka thënë Isa Mustafa.

Ai thotë se Kosova është e vendosur të punojmë pareshtur për ta fuqizuar shtetin dhe për ta afirmuar atë si një projekt të suksesshëm, që u shërben interesave të qytetarëve të saj, pa asnjë dallim dhe që është kontribut i paqes, tolerancës dhe prosperitetit.

Kosova nuk do të ndalet

Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebok thotë se rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera.

“Shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën. Fatkeqësisht, për 3 vota nuk fituam shumicën absolute të nevojshme. Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç’është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë. Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë është një shans i humbur për avancimin e vizionit, vlerave dhe qëllimeve që i synon kjo agjenci e OKB-së dhe promovimin e këtyre vlerave në Kosovë.

Përkundër kësaj, Jahjaga ka theksuar se Republika e Kosovës nuk do të dekurajohet nga ky veprim sepse siç ka shtuar ajo, ne dhe shumica e shteteve të botës, jemi të bindur në kauzën tonë dhe të pandalshëm në konsolidimin e shtetësisë tonë në arenën ndërkombëtare.

“I falënderoj qytetarët e Kosovës, miqtë, aleatët dhe shtetet nga mbarë bota për angazhimin e jashtëzakonshëm për të na ndihmuar në betejën tonë të përbashkët. I falënderojmë për besimin e tyre në vizionin e qytetarëve të Kosovës për të ndërtuar një shtet që i lartëson vlerat tona të përbashkëta”, thotë Jahjaga.

Vuçiq: Serbia nuk humbi

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vendimit të UNESCO-s për mosanëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ka theksuar se “Serbia nuk është mundur”.

“Me rastin e refuzimit që i është bërë kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO, dëshirojmë që të gjithëve tu themi dy gjëra, e para: Serbia nuk është mposhtur dhe e dyta, kjo më nuk është lajm i madh. Serbia, ngadalë, por sigurt po mëson që të paktën të mos humbë”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkaq, kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq ka uruar qytetarët e Serbisë pasi Kosova nuk u anëtarësua UNESCO. Ai e ka përgëzuar edhe Qeverinë e Serbisë, për siç ka thënë, investimin shumë të madh diplomatik dhe për mos heqje dorë as kur dukej se çdo gjë ishte humbur.

“Serbia ka shumë miq në botë të cilët miqësinë nuk bazojnë në vëllimin e këmbimit tregtar dhe në forcën e armëve, por në sjelljen e popujve dhe të shteteve. Kjo fitore nuk është arritur me para por me respektimin që i bëhet shtetit dhe popullit tonë. Ky është vazhdim i luftës për Kosovën dhe shenjë e qartë për të gjithë se nga krahina jonë jugore nuk do të heqim dorë kurrë”, ka thënë Nikoliq.

Diplomatët në Prishtinë, të zhgënjyer  

Ai i ka përgëzuar që qytetarët serbë, të cilët sipas tij kanë besim “se do të ruajmë atë që me shekuj e kanë ruajtur paraardhësit tanë”. “Kjo është fitore morale dhe e drejtë në kushte gati të pamundshme, kur shpesh ajo që është e drejtë nuk mund të llogarisë në përkrahjen e shumicës”, ka thënë ai.

Humbjen e betejës së Kosovës për anëtarësimin në UNESCO e kanë pritur me zhgënjim edhe diplomatët ndërkombëtar të akredituar në Prishtinë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar përmes rrjetit social Twitter, mbi dështimin në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, për ta pranuar Kosovë si vend anëtare. “Vota e sotme në UNESCO ishte zhgënjyese, por 92 votat e fituara tregojnë se Kosova ka një vend të rëndësishëm në komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë ambasadori amerikan.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka shprehur në twitter zhgënjimin e tij pas mos pranimit të Kosovës në UNESCO. O’Connell ka thënë se Kosova e ka merituar këtë njohje ndërkombëtare. “Ne ndajmë zhgënjimin e Kosovës rreth UNESCO-s. Ne kemi lobuar shumë pasi që Kosova e meriton dhe i duhet njohja ndërkombëtare”, ka shkruar O’Connell.

Mospranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO, ka irrituar edhe opozitën kosovare e  cila e konsideron një lajm të keq për vendin. Ata, madje thonë se pas fushatës së egër që ka bërë Serbia kundër Kosovës, është shumë e pakuptimtë të vazhdojnë bisedimet me një shtet që sfidon perspektivën kosovare.

Opozita: Dialogu me Serbinë, ka humbur çdo kuptim

“Fatkeqësisht Asambleja e kësaj agjencie të OKB-së, agjenci kjo që është e thirrur t’i mbrojë dhe çojë përpara vlerat e të drejtat universale për zhvillim kulturor e arsimor të popujve, sot vendosi bazuar në partikularitetin e interesave të ngushta mes shteteve të caktuara dhe avancimit hegjemonist të Serbisë dhe Rusisë”, konsideron Vetëvendosje.

Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO, sipas LVV-së, e dëshmon shumë qartë “atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar”.
”Sa më të urtë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, aq më e egër ajo ndaj nesh. Prandaj me të nuk mund të merremi vesh e të dialogojmë pa ndryshuar thellësisht njëherë ajo. E, aq më pak t’ia plotësojmë kërkesat në Kosovë”, thotë Vetëvendosje.

Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur keqardhjen e tij për mospranimin e Kosovës në UNESCO, përkundër faktit që Kosova e ka merituar që të anëtarësohet plotësisht në këtë organizatë.

Ai po ashtu ka thënë se “Për fatin e keq koncesionet qe i ka bërë Kosova në raport me vendet fqinje duke përfshirë këtu edhe dy marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk ishin të mjaftueshme që Serbia të mos e zhvillojë një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe në Shqipëri e kanë pritur me shqetësim mos anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të OKB-së.

Kosova mund të aplikoj pas dy vitesh

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka thënë se votimi i sotëm në UNESCO e forcon aleancën e shqiptarëve me Perëndimin duke ndikuar edhe te BE për të qenë më kushtëzuese ndaj Serbisë. Ai e ka quajtur një rezultat zhgënjyes votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Është rezultat zhgënjyes për shkak se për tre vota Kosova nuk arriti të bëhej anëtarë e UNESCO-s. Por ky është një votim që konsolidon aleancën strategjike të shqiptarëve me Perëndimin. Ky është një votim që mendoj se do ta vendosë në pozitë më të menduar edhe vetë BE-në për të qenë më kushtëzues ndaj Serbisë, dhe për të qenë më efiçient në partneritete reale në rajonin tonë për të evituar në ccdo rrethanë kthimin e rajonit tonë në një zonë të influencave të ndryshme”, tha Bushati.

Duke komentuar votimin, ministri i Jashtëm shqiptar tha ai ishte një pasqyrë e rrethanave dhe përplasjeve gjeopolitike, që “për fat të keq kanë disa kohë që janë prezente dhe në Ballkan”.

Rezultat zhgënjyes  e ka konsideruar edhe ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, e cila ka lobuar më shumës se gjithë diplomatët tjerë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. “Rezultat zhgënjyes për kërkesën e Kosovës: 3 vota munguan për ta arritur shumicën e votave që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s. Kosova në UNESCO pas dy vjetësh” ka shkruar Kadare.