Lajme

Maqedonia e rrezikuar nga migrimi i të rinjve

Reflektimet politike, jeta kulturore, mungesa e zhvillimit ekonomik...,janë disa nga faktorët që shtyjnë të rinjtë nga Maqedonia të mendojnë për migrim

Republika e Maqedonisë kohëve të fundit është shndërruar në një vend që nuk ua përmbushë apetitet të rinjve për të jetuar aty. Edhe pse nuk ka të dhëna konkrete se sa të rinj e kanë braktisur vendin, analistët dhe sociologët flasin për një klimë jo të përshtatshme për të rinjtë në Maqedoni.

Madje, derisa nuk hartohet një strategji e mirëfilltë për ndërtimin e perspektivave për të rinjtë në vend, Maqedonia kërcënohet nga një migrim serioz, konstatojnë analistët.

Dona Kosturanova është drejtoresha e Forumit Arsimor Rinor në Maqedoni. Ajo thotë se problemi bazë është mungesa e të dhënave të sakta sa i përket numrit të të rinjve që janë larguar nga Maqedonia.

“Po ajo që nevojitet për momentin, për të parandaluar dukurinë e braktisjes së vendit nga ana e të rinjve është një analizë e mirëfilltë në nivel kombëtar, por për t’u bërë kjo analizë nevojiten numrat e saktë kush dhe sa janë larguar nga Maqedonia, sepse ne, tërë kohën flasim në bazë të spekulimeve” deklaroi ajo.

Ende askush nga institucionet kompetente të shtetit, sipas saj, nuk ka dalë me të dhëna të sakta sa të rinj janë larguar nga Maqedonia, cili është profili i tyre sa i përket përgatitjes profesionale apo moshës, sa prej tyre janë kthyer …. nëse ka të tillë.

Ndërkaq, Arben Hajrullahu nga Unioni Studentor Shqiptar, thekson se ka më shumë faktorë pse të rinjtë nuk e shohin perspektivën e tyre në Maqedoni.

“Politika ditore, e cila është e pranishme në Universitetet e Maqedonisë ka një impakt shumë negativ, sepse të gjithë ata të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e politikës lihen anash, përkatësisht nuk vlerësohen në bazë të suksesit që dëshmon gjatë studimeve si studentë të dalluar”, deklaroi ajo për REL.

Nga ana tjetër, sociologu maqedonas Ilia Acevski, thotë se problemi i migrimit të të rinjve nga Maqedonia është i komplikuar dhe duhet analizuar në më shumë aspekte, që nga problemet ekonomike, mungesa e jetës kualitative në aspektin arsimor, kulturor dhe sportiv, por më e rëndësishmja sipas tij është mungesa e perspektivës.

“Në aspektin socio-ekonomik si rrjedhojë e më shumë rrethanave të rinjtë në Maqedoni gjithnjë e më shumë krijojnë bindje se qëndrimi në Maqedoni për ta është baras me mungesë të çfarëdo lloj perspektive. Ka më shumë arsye se pse ata krijojnë bindje të këtillë, duke filluar nga politizimi i skajshëm i shoqërisë, devalvimi i vlerave”, thotë ai.

Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Botërore për Zhvillim Ekonomik, vetëm gjatë vitit 2013 nga Maqedonia janë larguar rreth 20 mijë banorë. Ndërsa në bazë të disa sondazheve, që ia ka botuar edhe albinfo.ch, del se çdo i dyti student në Maqedoni, dëshiron që pas studimeve të jetoj në një vend të BE-së.

Kjo mungesë e perspektivës nga të rinjtë, megjithatë vërehet edhe në disa shtete tjera të Ballkanit perëndimor. Edhe në Kosovës një sondazh i vitit të kaluar, ka nxjerr pothuajse të njëjtin rezultat: se çdo i dytë student dhe i ri kosovarë dëshiron të jetojë  jashtë shtetit, kryesisht në vendet evropiane, por edhe në SHBA.