Uncategorized

Degradimi i lumenjve rrezikon Shqipërinë nga përmbytjet

Gazeta “The Guardian” jep alarmin, se nëse vazhdon edhe me tej degradimi i lumenjve dhe ndërtimi i hidrocentraleve, Shqipëria rrezikohet nga përmbytjet

Nëse vazhdon degradimi i lumenjve, përfshirë edhe ndërtimi i hidrocentraleve sidomos në lumin Vjosa, atëherë Shqipëria duhet të përgatitet për ndonjë katastrofë nga përmbytjet. Kështu jep alarmin gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” bazuar në raportin e institucionit ambientalist “RiverWatch”.

“The Guardian” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë dëmeve që po i vijnë Ballkanit nga ndërtimi i hidrocentraleve në lumenj. Për rastin e Shqipërisë, analizohen dëmet e shkaktuara në lumin Vjosa, e cila muajve të fundit doli nga shtati duke shkaktuar shumë dëme e madje mori edhe një jetë njeriu.

Kryeministri Edi Rama, duke folur për “The Guardian” thotë se në gjashtë muajt e parë në detyrë nuk kishte ditë që dikush të mos e telefononte apo t’i dërgonte e-mail nga Shqipëria, Evropa apo Amerika me subjekt: “Jemi të interesuar për ndërtimin e hidrocentraleve”.

Por, Rama sipas kësaj gazete, po i reziston këtyre ndërtime, të cilat i sheh me rrezik të madh për vendin dhe ambientin. ”Nëse do të përsërisim gabimin e bërë me ndërtimet pa leje, në fund nuk do të kemi ujë për vaditje”, ka deklaruar Rama, raporton Shekulli.

Megjithatë, tetë hidrocentrale të tilla pritet të ndërtohen në lumin Vjosa nga kompanitë e huaja.

Në Ballkan, “RiverWatch” thotë se ka evidentuar 435 raste të dëmtimit të lumenjve nga hidrocentralet. Sipas një dokumenti të “The Guardian”, nga këto licenca në Shqipëria ka pasur investime me vlerë mbi 1.8 miliardë sterlina. “RiverWatch” ka ngritur shqetësim se shumë prej këtyre hidrocentraleve në Ballkan po ndërtohen në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura.

Në Shqipëri, sipas kësaj gazete britanike, një e treta e energjisë importohet, por pjesa tjetër vjen nga hidrocentralet, që sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë klasifikohet si energji e rinovueshme. Por ambientalistët ngrenë pikëpyetje për këtë, duke kërkuar që të quhet “energji e pastër”, transmeton Albinfo.Ch.

“Shqipëria i shikon hidrocentralet e reja si burim i pavarur energjie dhe “një burim i mirë për importin e energjisë”, thotë Damian Gjiknuri , Ministër i Energjetikës në Qeverinë Shqiptare. Por, 42 për qind e energjisë elektrike në vend humbet gjatë shpërndarjes për shkak të vjedhjeve.

Ministri i Energjisë ka lënë pezull një numër projektesh që kishin marrë leje vitin e kaluar, por thotë se duart i kanë të lidhura për shkak se kjo largon investimet e huaja.

“Janë anuluar më shumë se 200 projekte të kohës së Berishës ( ish-kryeministrit), të cilat kryeministri aktual Rama i lidh me “tregun e zi të korrupsionit… një çmenduri”.

Ambiantalistët e shohin kryeministri shqiptar si aleat të tyre, pasi që ai është ish-artist që ngjyrosi ndërtesat e erës staliniste të Tiranës me ngjyra të shumëllojshme. Por, sipas tyre, ai nganjëherë jep përshtypjen se nuk ka fuqinë e plotë për t’i kthyer të gjitha planet që ai i përbuz.

Megjithatë një prej këtyre hidrocentraleve që ka shkaktuar dëme është ai i Kalivaçit. Bëhet fjalë për gjashtë hektarë pyll të dëmtuara në lumin Vjosa.

Ulrih Aikëlman, drejtor i “RiverWatch” me bazë në Austri, thotë se Vjosa është lumë i veçantë në Evropë, pasi nuk ka tjetër që transporton në det sedimente me një sistem të balancuar. Sipas tij, Vjosa është jashtëzakonisht e rëndësishme për modelin sesi lumenjtë duhet të rikthehen në Evropë.

Ndryshe, Shqipëria shpreson të anëtarësohet në BE deri në vitin 2020, por ajo ka ende një sistem të dobët energjetik dhe nuk është ende gati për t’u integruar në Evropë. Kryeministri Rama thotë se duhet një investim i madh për të mbrojtur lumenjtë nga degradimi mjedisor.

Por, sipas kësaj gazete britanike, zyrtarët e BE-së kohëve të fundit kanë shtyrë më shumë Tiranën në luftën e kanabisit sesa mbrojtjen e ujërave. Prandaj “The Guardian”thotë se Shqipëria vuajti pasojat e dëmtimit të ekosistemit në fillim të këtij muaji kur përjetoi përmbytjen e dytë më të madhe në histori.

“Nëse dëmtimet në lumenj do të vazhdojnë, do të ketë një katastrofë ekologjike jo vetëm për biodiversitetin, por edhe për tokën”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në maj të këtij viti, Parlamenti Evropian i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të rishikojë projektet e planifikuara për hidrocentrale përgjatë lumit Vjosa dhe degëve të tij. Kundër ndërtimit të digave për hidrocentrale, kanë protestuar disa ambientalista, duke kërkuar që Vjosës të mos i prishet “bukuria e egër që ka”.