Teleferikët dhe instalimet e transportit malor në kantonin zviceran të Graubündenit kanë shënuar sezonin veror më të suksesshëm në historinë e tyre, ndërsa edhe sezoni dimëror ka nisur me rezultate premtuese, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.
Në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Teleferikëve të Graubündenit, të mbajtur në Weissfluhjoch të Davosit, presidenti Markus Moser prezantoi bilancin e sektorit dhe sfidat me të cilat përballen operatorët.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Teleferikëve të Zvicrës, gjatë sezonit veror, nga maji deri në tetor 2026, numri i hyrjeve të vizitorëve në Graubünden u rrit me 9 për qind krahasuar me vitin paraprak dhe me 11 për qind krahasuar me mesataren e pesë viteve të fundit.
Sezoni dimëror mbetet vendimtar
Pavarësisht suksesit gjatë verës, të ardhurat nga turizmi veror ende nuk mund të zëvendësojnë financiarisht ato të sezonit dimëror.
Lartësia mbidetare e vendpushimeve alpine në Graubünden përbën një avantazh afatgjatë krahasuar me destinacionet që ndodhen në lartësi më të ulëta.
Megjithatë, rritja e kostove të energjisë elektrike, ujit dhe prodhimit të borës artificiale, si dhe pasiguria gjeopolitike, kërkojnë investime të mirëplanifikuara dhe strategji të qëndrueshme nga kompanitë e këtij sektori.
Sezoni dimëror në funksion të plotë nga 19 dhjetori
Falë temperaturave të ulëta dhe reshjeve të borës, disa nga qendrat e njohura të skijimit, përfshirë Davos-Parsenn, Laax dhe Samnaun, tashmë kanë filluar funksionimin e pjesshëm.
Funksionimi i plotë i instalimeve në nivel kantonal pritet të nisë nga 19 dhjetori 2026.
Rritje e turizmit malor në gjithë Zvicrën
Rezultate pozitive janë regjistruar edhe në rajonet e tjera zvicerane. Në nivel kombëtar, teleferikët kanë shënuar 8 për qind më shumë hyrje gjatë sezonit veror sesa një vit më parë.
Rritja sipas rajoneve:
– Oberlandi i Bernës: 26 për qind;
– Graubünden: 9 për qind;
– Alpet e Vaud dhe Fribourgut: 7 për qind;
– Zvicra Qendrore: 5 për qind;
– Zvicra Lindore: 5 për qind;
– Valais: 1 për qind;
– Ticino: pa ndryshime.
Në nivel kombëtar, numri i hyrjeve ishte 23 për qind më i lartë se mesatarja e pesë viteve të fundit, duke dëshmuar rëndësinë gjithnjë e më të madhe të turizmit malor gjatë muajve të verës.