Skip to content

Merz kërkon shkurtime të tjera në buxhetin e BE-së, samiti përfundon para kohe

Kancelari gjerman kundërshton kompromisin për buxhetin e periudhës 2028-2034, duke kërkuar ulje të mëtejshme të shpenzimeve. Liderët evropianë synojnë të arrijnë marrëveshje në samitin e ardhshëm, para Krishtlindjes.

Samiti i Bashkimit Evropian për buxhetin e përbashkët ka përfunduar më herët se sa ishte planifikuar, për shkak të mosmarrëveshjeve mes liderëve evropianë lidhur me financimin e BE-së për periudhën 2028-2034.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kërkuar shkurtime të mëtejshme në buxhet, pavarësisht se propozimi fillestar i Komisionit Evropian është reduktuar tashmë me rreth 204 miliardë euro.

Merz ka kundërshtuar kompromisin e propozuar nga presidenca e Këshillit të BE-së, duke vlerësuar se shuma e parashikuar mbetet tepër e lartë.

“Vëllimi ende mbetet shumë i lartë”, deklaroi kancelari në Bruksel, duke theksuar se buxheti duhet të jetë i përballueshëm edhe për shtetet anëtare që kontribuojnë në financimin e tij.

Propozimi i fundit i presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, parasheh një buxhet prej 1.78 trilionë eurosh për shtatë vitet e ardhshme. Përmes Kuadrit Financiar Shumëvjeçar (MFF), BE-ja përcakton edhe prioritetet e saj politike dhe financiare për këtë periudhë.

Merz kërkon mbështetje të përbashkët për Ukrainën

Gjatë samitit, kancelari gjerman ka kërkuar gjithashtu që të gjitha vendet e BE-së të kontribuojnë në ndihmat për Ukrainën.

Aktualisht, Sllovakia, Çekia dhe Hungaria janë të përjashtuara nga detyrimi për të marrë pjesë në garantimin e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Merz ka theksuar se mbështetja për Ukrainën nuk synon zgjatjen e luftës, por përfundimin e saj.

“Askush në Evropë nuk mund të ketë interes që të përballet me valë të reja refugjatësh nga Ukraina, nëse kjo luftë nuk përfundon”, ka deklaruar ai.

Kancelari gjerman e ka kushtëzuar mbështetjen e tij për buxhetin e përgjithshëm të BE-së me një zgjidhje të përbashkët për ndihmat ndaj Ukrainës.

Kërkesën e tij e ka mbështetur edhe kancelari austriak, Christian Stocker, i cili ka theksuar nevojën për një marrëveshje të përbashkët.

Çekia kundërshton lidhjen e buxhetit me ndihmat për Ukrainën

Kryeministri çek, Andrej Babiš, ka kundërshtuar qëndrimin e Merzit, duke kërkuar që financimi i Ukrainës të negociohet veçmas nga buxheti i përgjithshëm i BE-së.

Sipas tij, Çekisë i nevojiten fondet për shpenzime të tjera.

Në negociatat për buxhetin janë formuar dy grupe shtetesh. Gjermania dhe gjashtë vende të tjera anëtare kërkojnë uljen e shpenzimeve, duke e konsideruar buxhetin e propozuar tepër të lartë.

Këto shtete janë kontribuues neto në buxhetin e BE-së, pasi paguajnë më shumë sesa përfitojnë nga fondet e përbashkëta.

Në anën tjetër, disa vende anëtare mbrojnë ruajtjen e financimit për rajonet ekonomikisht më të dobëta, të cilat përfitojnë nga fondet e BE-së për zhvillim dhe mbështetje ekonomike.

Pas përfundimit të parakohshëm të samitit, liderët evropianë pritet t’i vazhdojnë negociatat në dhjetor, me synimin që marrëveshja për buxhetin e ardhshëm të arrihet në samitin e planifikuar pak para Krishtlindjes./Albinfo.ch