Skip to content

Kuvendi i Kosovës mban sot dy seanca plenare

Seanca e parë do të nisë në orën 10:00, ndërsa seanca e re është caktuar për orën 13:00. Deputetët pritet të trajtojnë çështje që lidhen me shëndetësinë, energjinë elektrike, RTK-në, Këshillin Kombëtar të Shkencës dhe hetimin parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt.

 

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare, ku në rend dite janë përfshirë një sërë çështjesh të mbetura nga mbledhjet e mëparshme, si dhe pika të reja për shqyrtim, përcjell albinfo.ch.

Vazhdimi i seancës plenare është caktuar të mbahet në orën 10:00, ndërsa seanca e re do të nisë në orën 13:00.

Në vazhdimin e seancës, deputetët do të shqyrtojnë fillimisht dy propozim-rezoluta që kanë mbetur pa u votuar nga seancat e mbajtura më 12 dhe 13 nëntor.

E para lidhet me interpelancën ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike në vend.

Çështja e dytë ka të bëjë me propozim-rezolutën nga mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Në këtë seancë do të trajtohen edhe pikat e papërfunduara nga mbledhja plenare e 19 nëntorit. Ato përfshijnë procedimin e nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve, emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhjen e përfaqësuesve në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.

Për bordin e RTK-së parashihet zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë.

Në rend dite është gjithashtu rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili merret me veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Ndërkaq, në seancën e re, të planifikuar për orën 13:00, janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Seancat e sotme pritet të përfshijnë disa çështje me rëndësi institucionale dhe publike, të cilat kanë mbetur për shqyrtim nga mbledhjet e mëparshme të Kuvendit./Albinfo.ch