Më shumë se 330 mijë shtetas gjermanë jetonin në Zvicër në vitin 2025, ndërsa pagat e larta, infrastruktura dhe sistemi shëndetësor janë ndër arsyet që e bëjnë këtë vend tërheqës për emigrim.
Megjithatë, përshtatja me jetën në Zvicër shoqërohet edhe me sfida. Christine Steinleitner, një sipërmarrëse 42-vjeçare nga Munihu, e cila prej disa muajsh jeton në Zvicër, ka ndarë për revistën “Der Spiegel” disa këshilla për gjermanët që planifikojnë të shpërngulen atje.
Ajo u rekomandon emigrantëve që, para se të vendosin për një jetë të re, të llogarisin me kujdes shpenzimet e jetesës, përfshirë tatimet, qiranë dhe sigurimin shëndetësor, pasi pagat e larta nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht të ardhura të mëdha të disponueshme.
Steinleitner thekson gjithashtu rëndësinë e të kuptuarit të dialekteve zvicerane, përshtatjes me mënyrën më të përmbajtur të komunikimit dhe përdorimit të aplikacioneve të pagesave, si Twint, që janë pjesë e përditshmërisë në vend.
Ndër këshillat e saj është edhe shfrytëzimi i fontanave publike për mbushjen e shisheve të ujit, si një mënyrë për të kursyer dhe për të reduktuar mbeturinat.