Skip to content

Diskriminimi dhe përjashtimi, shqetësimet kryesore të fëmijëve në Zvicër

Ilustrim, Freepik

Rreth 200 fëmijë dhe të rinj në Zvicër kanë raportuar për diskriminim, përjashtim, bullizëm dhe mungesë të përfshirjes në vendimmarrje, në raportin e dytë për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, të publikuar nga Rrjeti Zviceran për të Drejtat e Fëmijëve.

Diskriminimi për shkak të prejardhjes, ngjyrës së lëkurës, fesë, gjuhës apo aftësisë së kufizuar është ndër shqetësimet më të shpeshta të evidentuara. Fëmijët kanë raportuar edhe për seksizëm, qëndrime diskriminuese ndaj personave LGBTQ+ dhe trajtim të pabarabartë në shkolla.

Për adresimin e këtyre problemeve, ata propozojnë një lëndë shkollore për respektin, të drejtat e fëmijëve dhe bashkëjetesën, trajnime për mësimdhënësit, programe kundër bullizmit dhe përfshirje më të madhe në vendimmarrje.

Raporti evidenton edhe përvojat e fëmijëve me dhunën në familje, shkolla dhe institucionet e strehimit, duke kërkuar mekanizma më të qartë për raportimin dhe kërkimin e ndihmës.

Autorët vlerësojnë se, megjithëse të drejtat e fëmijëve janë të përcaktuara me ligj, zbatimi i tyre në praktikë mbetet sfidë, veçanërisht në fushat e mbrojtjes nga dhuna, pjesëmarrjes dhe mosdiskriminimit.

Në ditën e publikimit, rreth 20 fëmijë dhe të rinj diskutuan rekomandimet e tyre me nëntë deputetë të Këshillit Nacional të Zvicrës, me shpresën se propozimet do të shndërrohen në iniciativa konkrete politike.