Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, Hekurudha Retike ka regjistruar një rritje prej 8 për qind të kilometrave të përshkuar nga pasagjerët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Rritja është nxitur veçanërisht nga transporti turistik, me kërkesë të lartë për udhëtime me trenin panoramik Bernina Express, shkruan Watson, transmeton albinfo.ch.
Bernina Express me rritje të jashtëzakonshme
Nga janari deri në fund të tetorit 2026, rreth 480,500 persona kanë udhëtuar me Bernina Express, i cili lidh qytetin italian Tirano me St. Moritzin në Zvicër.
Krahasuar me vitin rekord 2019, para pandemisë së koronavirusit, kërkesa është rritur për 94 për qind.
Sipas drejtorit të Hekurudhës Retike, Renato Fasciati, popullariteti i Bernina Express ka ndikuar pozitivisht edhe në transportin rajonal, pasi turistët që nuk sigurojnë vende në trenin panoramik shfrytëzojnë trenat e tjerë.
Ndërkohë, Glacier Express, që lidh Zermattin me St. Moritzin, ka regjistruar një rënie të lehtë të kërkesës pas vitit rekord 2025. Megjithatë, mbushja e trenave vazhdon të jetë afër 90 për qind.
Gjithnjë e më shumë qytetarë udhëtojnë me tren për në punë
Që nga viti 2024, përdorimi i Hekurudhës Retike nga udhëtarët e përditshëm është rritur për 20 për qind.
Qarkullimi i trenave çdo 30 minuta ka kontribuar në rritjen e atraktivitetit të transportit publik në kantonin Graubünden, pavarësisht dendësisë së ulët të popullsisë.
Gjithashtu, kompania ka përmirësuar përpikërinë e trenave, nga 91.5 në 93.9 për qind gjatë dhjetë muajve të parë të vitit.
Masa shtesë për festat e fundvitit
Në prag të festave të fundvitit, kompania po përgatitet për fluksin e madh të udhëtarëve në linjën Bernina.
Pasagjerët e trenave rajonalë do të vazhdojnë të kenë mundësinë e rezervimit të një vendi kundrejt një pagese shtesë prej pesë frangash. Në orarin elektronik do të ofrohen informacione mbi ngarkesën e vagonëve, ndërsa në stacionet e Tiranos dhe St. Moritzit do të angazhohet personel shtesë për menaxhimin e fluksit të udhëtarëve.