Në Zvicër është konsumuar sërish më shumë birrë gjatë vitit të fundit. Temperaturat jashtëzakonisht të larta gjatë verës kanë ndihmuar industrinë, megjithatë birra pa alkool vazhdon të jetë faktori kryesor i rritjes së tregut, shkruan Swissinfo, përcjell albinfo.ch.
Sipas Shoqatës Zvicerane të Prodhuesve të Birrës (SBV), gjatë vitit prodhues 2025/2026, i cili përfundoi në shtator, shitjet e përgjithshme u rritën me 0.8 për qind, duke arritur në rreth 476 milionë litra. Një vit më parë, tregu kishte shënuar rënie prej 1.8 për qind.
Nga kjo rritje kanë përfituar kryesisht prodhuesit e huaj. Importet e birrës janë rritur me 4.4 për qind, ndërsa shitjet e prodhuesve vendas kanë shënuar rënie prej 0.3 për qind.
Vera më e nxehtë që nga fillimi i matjeve meteorologjike ndikoi pozitivisht në shitje. Gjatë periudhës qershor–gusht, ato u rritën me 5.4 për qind.
Ndërkohë, shitjet e birrës pa alkool janë rritur me 15 për qind, pas një rritjeje prej 13 për qind një vit më parë. Pjesëmarrja e saj në tregun zviceran është rritur nga 7.5 në 8.5 për qind.
Mbi tre të katërtat e birrës pa alkool që shitet në Zvicër prodhohet brenda vendit. Në të kundërt, shitjet e birrës me alkool kanë shënuar rënie prej 0.4 për qind.
Ndryshime po vërehen edhe në mënyrën e konsumimit. Për herë të parë që nga periudha e pandemisë, më pak se 30 për qind e birrës është shitur përmes sektorit të gastronomisë.
Dy dekada më parë, shitjet në restorante dhe bare ishin pothuajse të barabarta me ato në dyqanet e shitjes me pakicë