Skip to content

Java katërditore e punës jep rezultate pozitive në katër kompani zvicerane

@Envato

Një eksperiment gjashtëmujor në katër kompani zvicerane ka treguar rezultate pozitive nga zbatimi i javës katërditore të punës, pa ulje të pagave. Sipas një studimi të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Bernë, punonjësit raportuan më pak lodhje, shëndet më të mirë dhe produktivitet më të lartë.

Në eksperiment morën pjesë një kompani ndërtimi, një bankë, një kompani konsulente për burime njerëzore dhe një organizatë e sektorit social. Orari i punës u reduktua në 34 deri në 38 orë në javë, ndërsa pagat mbetën të pandryshuara.

Studimi evidentoi gjithashtu ulje të mungesave në punë. Në bankën pjesëmarrëse, ato u reduktuan për 31 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa në kompaninë e ndërtimit mungesat për shkak të sëmundjeve ranë nga 10,1 në 5,5 për qind te punonjësit që morën pjesë në eksperiment.

Sipas sociologes Isabelle Zinn, e cila udhëhoqi studimin, të dhënat e kompanive konfirmuan rritje të produktivitetit, pavarësisht reduktimit të orarit. Ajo theksoi se java katërditore nuk nënkupton ngjeshjen e të njëjtit numër orësh në më pak ditë, por reduktimin real të kohës së punës, duke ruajtur pagën e njëjtë.

Megjithatë, zbatimi i këtij modeli kërkoi riorganizim të proceseve të punës dhe angazhim të konsiderueshëm nga menaxhmentet.

Pas përfundimit të eksperimentit, dy nga katër kompanitë vendosën ta vazhdojnë dhe ta zbatojnë në mënyrë të përgjithshme javën katërditore të punës, ndërsa dy të tjerat ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar.