Skip to content

Policia dhe ushtria kontrollojnë 455 automjete në Solothurn, dy të arrestuar

Kontrollet gjatë dy netëve përfshinë 684 persona. Katër shoferë dyshohen se drejtonin nën ndikimin e alkoolit ose drogës.

Dy persona janë arrestuar gjatë një aksioni të përbashkët të policisë, ushtrisë dhe autoriteteve doganore në kantonin Solothurn, ku janë kontrolluar 455 automjete dhe 684 persona, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të publikuar sot nga Policia Kantonale, kontrollet janë zhvilluar në disa lokacione gjatë netëve nga 20 në 21 dhe nga 21 në 22 nëntor.

Vëmendje e veçantë u është kushtuar personave të dyshuar për vjedhje me thyerje dhe atyre që figuronin në kërkim.

Gjatë aksionit, katër shoferë janë dyshuar për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit ose drogës. Gjithashtu, janë bërë 17 kallëzime për shkelje të legjislacionit rrugor, janë shqiptuar tetë gjoba dhe është sekuestruar një automjet.

Në operacion morën pjesë 33 punonjës të policisë kantonale, 45 pjesëtarë të ushtrisë dhe dy ekspertë të kontrollit teknik të automjeteve. Mbështetje ofruan edhe specialistë të dokumenteve nga autoritetet doganore dhe një mjek zyrtar.

Policia bëri të ditur se aksioni shërbeu edhe për ushtrimin e bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe ushtrisë./Albinfo.ch