Skip to content

Në Zvicër kërkohet reformë e sigurimit të invaliditetit, fondet rrezikojnë të shterojnë deri në vitin 2031

Një aleancë e disa organizatave në Zvicër ka kërkuar reformë më gjithëpërfshirëse të sigurimit të invaliditetit, duke paralajmëruar se, pa masa shtesë, fondet e këtij sistemi mund të shterojnë plotësisht deri në vitin 2031.

Gjatë një konference për media në Bernë, përfaqësuesit e organizatave të personave me aftësi të kufizuara, shëndetësisë dhe punëtorëve kanë identifikuar si probleme kryesore deficitin strukturor, mungesën e rezervave financiare dhe borxhin prej dhjetë miliardë frangash ndaj sigurimit të pleqërisë dhe të të mbijetuarve (AVS).

Aleanca vlerëson se masat e parapara nga Këshilli Federal për periudhën 2030–2039 nuk janë të mjaftueshme për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit pas vitit 2040.

Shqetësim i veçantë mbetet rritja e numrit të kërkesave për pension invaliditeti nga të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç, kryesisht për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe presionit gjatë shkollimit e punësimit.

Organizatat theksojnë gjithashtu se rreth gjysma e përfituesve të pensioneve të invaliditetit marrin ndihma plotësuese, pasi pensionet nuk mbulojnë nevojat e tyre. Ato kërkojnë që stabiliteti financiar i sistemit të mos sigurohet përmes shkurtimit të përfitimeve për personat me aftësi të kufizuara, por përmes reformave strukturore, qasjes më të shpejtë në trajtim dhe mundësive më të mira për punësim dhe riintegrim profesional.