Skip to content

19 biznese dhe investitorë japonezë diskutojnë mundësitë e investimeve në Kosovë

Një delegacion prej 19 biznesesh dhe investitorësh nga Japonia ka vizituar Kosovën, ku është takuar me përfaqësues të institucioneve të vendit për të diskutuar mundësitë e investimeve dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Takimi u zhvillua në kuadër të Forumit Ekonomik “Brezovica Economic Forum 2026”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, nën drejtimin e kryetarit të saj, Lulzim Rafuna.

Në takim morën pjesë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, si dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.

Gjatë diskutimeve u trajtuan mundësitë e investimeve në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimin e infrastrukturës, energjinë e pastër, teknologjinë informative dhe potencialin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.

Kjo është vizita e dytë e delegacionit japonez në Kosovë, pas asaj të realizuar vitin e kaluar, duke reflektuar vazhdimësinë e interesimit të bizneseve japoneze për tregun dhe mundësitë e bashkëpunimit në vend.

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, forumi synon të krijojë mundësi të reja për partneritete ndërmjet bizneseve vendore, institucioneve dhe investitorëve ndërkombëtarë, me synim nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik.