Skip to content

Përdorimi i antibiotikëve në Zvicër bie në nivel rekord, por rriten vdekjet nga bakteret rezistente

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Sipas raportit të ri “Swiss Antibiotic Resistance Report 2026”, të publikuar më 17 nëntor nga autoritetet federale zvicerane, konsumi i antibiotikëve në mjekësinë njerëzore ka vazhduar të bjerë, duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar

Zvicra ka shënuar një rënie historike të përdorimit të antibiotikëve, duke arritur para kohe objektivat e përcaktuara për vitin 2027. Megjithatë, raporti më i fundit i autoriteteve federale ngre shqetësime serioze, pasi numri i vdekjeve nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve pothuajse është dyfishuar që nga viti 2010.

Sipas raportit të ri “Swiss Antibiotic Resistance Report 2026”, të publikuar më 17 nëntor nga autoritetet federale zvicerane, konsumi i antibiotikëve në mjekësinë njerëzore ka vazhduar të bjerë, duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar, transmeton albinfo.ch.

Gjatë vitit 2025, përdorimi mesatar i antibiotikëve në Zvicër ishte 9.9 doza ditore të përcaktuara për çdo 1,000 banorë, një rënie prej afro 11 për qind krahasuar me vitin paraprak, kur kjo shifër ishte 11.1 doza.

Ky rezultat është gjithashtu 4 për qind më i ulët se në vitin 2019, para pandemisë së koronavirusit. Në këtë mënyrë, Zvicra ka përmbushur para kohe objektivin kombëtar për vitin 2027, që parashihte uljen e konsumit në 10.2 doza ditore.

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, Zvicra paraqitet mjaft mirë. Gjatë vitit 2024, konsumi i antibiotikëve në vend ishte afërsisht sa gjysma e mesatares evropiane, e cila arrinte në 20.4 doza ditore për 1,000 banorë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi më i ulët i antibiotikëve nuk nënkupton domosdoshmërisht se ato përshkruhen gjithmonë në mënyrën e duhur.

Pothuajse dyfishohen vdekjet nga bakteret rezistente

Pavarësisht përparimit në reduktimin e konsumit, rezistenca bakteriale vazhdon të përbëjë një sfidë serioze për sistemin shëndetësor zviceran.

Sipas raportit, numri i vlerësuar i vdekjeve të lidhura me 16 kombinime të baktereve shumë rezistente dhe antibiotikëve është rritur nga 135 raste në vitin 2010 në 258 raste në vitin 2024.

Kjo rritje tregon se rezistenca ndaj antibiotikëve mbetet një kërcënim i rëndësishëm për shëndetin publik, edhe në vendet ku përdorimi i këtyre barnave është relativisht i ulët.

Një zhvillim pozitiv është ulja me 27.4 për qind gjatë dhjetë viteve të fundit e përdorimit të antibiotikëve të kategorisë “Watch”, të cilët kërkojnë kujdes të veçantë për shkak të rrezikut të zhvillimit të rezistencës.

Në Zvicrën frëngjishtfolëse përshkruhen më shumë antibiotikë

Raporti evidenton edhe dallime të konsiderueshme rajonale në përdorimin e antibiotikëve. Në Zvicrën perëndimore, ku mbizotëron gjuha frënge, përshkruhen mbi 1.5 herë më shumë antibiotikë në kujdesin ambulator sesa në pjesën gjermanishtfolëse të vendit.

Kantoni i Gjenevës kryeson me 11.8 doza ditore për 1,000 banorë, ndërsa Appenzell Innerrhoden regjistron vetëm 4.5 doza. Sipas të dhënave, 85.9 për qind e antibiotikëve përshkruhen jashtë spitaleve, kryesisht nga mjekët e përgjithshëm.

Pothuajse gjysma e recetave të lëshuara nga mjekët familjarë lidhen me infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, megjithëse shumë prej këtyre infeksioneve shkaktohen nga viruset, kundër të cilave antibiotikët nuk kanë efekt.

Raporti zbulon gjithashtu se rreth një në pesë receta të antibiotikëve në kujdesin ambulator nuk është në përputhje me udhëzimet mjekësore.

Edhe përdorimi i antibiotikëve te kafshët mbetet nën vëzhgim

Autoritetet zvicerane kanë analizuar edhe përdorimin e antibiotikëve në sektorin veterinar.

Sasia e përgjithshme e antibiotikëve të shitur për kafshët bujqësore ka rënë ndjeshëm që nga viti 2008. Megjithatë, në raport me biomasën e kafshëve, konsumi ka mbetur relativisht i qëndrueshëm gjatë tre viteve të fundit.

Një shqetësim i veçantë lidhet me bakterin rezistent MRSA, të tipit CC398, te derrat për majmëri. Përqindja e kafshëve te të cilat është identifikuar ky bakter është rritur nga 2 për qind në vitin 2009 në 69 për qind.

Autoritetet theksojnë se këto zhvillime dëshmojnë lidhjen e ngushtë ndërmjet shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Raporti është pjesë e Strategjisë Kombëtare Zvicerane kundër Rezistencës ndaj Antibiotikëve (StAR), e cila synon përdorimin më të përgjegjshëm të këtyre barnave dhe kufizimin e përhapjes së baktereve rezistente.

Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se, megjithëse Zvicra ka arritur rezultate pozitive në uljen e konsumit, mbetet e domosdoshme të përmirësohet cilësia e përshkrimit të antibiotikëve dhe të vazhdojë monitorimi i rezistencës bakteriale.