Jakup Krasniqi është nisur nga Haga drejt Kosovës, për çështje familjare. Lajmin e ka konfirmuar Nasim Haradinaj, i cili ka bërë të ditur se ish-kryetari i Kuvendit po vjen në Kosovë për arsye familjare, përcjell albinfo.ch.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar vizitën humanitare për Krasniqin, duke autorizuar udhëtimin e tij nga qendra e paraburgimit.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka konfirmuar se Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretariatin që të organizojë vizitën.
Sipas Doyle, kjo është vizita e 15-të e një të paraburgosuri në Kosovë, e autorizuar nga gjyqtarët për arsye humanitare.
Ai ka sqaruar se vizitat e tilla lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, ndërsa kërkesat shqyrtohen duke marrë parasysh rrethanat konkrete, urgjencën dhe ndjeshmërinë e situatës.
Doyle nuk ka dhënë detaje për arsyet konkrete humanitare që kanë çuar në miratimin e vizitës së Krasniqit.
Në deklaratën e tij, ai ka bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të arsyeve bindëse humanitare dhe se vizita është organizuar nga Sekretariati i gjykatës.
Sipas tij, kur paraqitet një kërkesë e tillë, gjyqtarët vlerësojnë të gjitha rrethanat, duke marrë parasysh urgjencën dhe ndjeshmërinë e situatës, si dhe kuadrin ligjor të Dhomave të Specializuara dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut./Albinfo.ch