Skip to content

Kusari-Lila merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, në fokus bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian

Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka marrë pjesë në panelin ministror të Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum), ku diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ekonomik afatgjatë dhe perspektivën e integrimit evropian të vendeve të rajonit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit prezantoi potencialin ekonomik të Kosovës, reformat dhe mundësitë për investime, duke theksuar rëndësinë e një vizioni të përbashkët për Ballkanin Perëndimor.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka marrë pjesë në panelin ministror të Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum), ku diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ekonomik afatgjatë dhe perspektivën e integrimit evropian të vendeve të rajonit, raporton albinfo.at.

Paneli ministror, me temën “Common Vision for a Longstanding Economic Cooperation”, mblodhi ministra dhe përfaqësues të lartë nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni më i gjerë, të cilët diskutuan për prioritetet e vendeve të tyre dhe objektivat e përbashkëta.

Pjesa e parë e forumit iu kushtua prezantimit të progresit të Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me këtë rast, Kusari-Lila e përgëzoi Malin e Zi për arritjet dhe theksoi se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë adresimit të saj, ministrja vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe krijimit të mundësive të reja për investime e zhvillim ekonomik.

Ajo prezantoi reformat ekonomike dhe legjislative të Kosovës, sektorët me potencial për rritje dhe mundësitë konkrete për investime. Gjithashtu, foli për marrëdhëniet ekonomike me Austrinë dhe potencialin e Kosovës në prodhim, inovacion dhe zhvillimin e parqeve eko-industriale.

Kusari-Lila u bëri thirrje bizneseve ndërkombëtare që të bëhen pjesë e transformimit dhe zhvillimit industrial të Kosovës.

Në përfundim, ajo theksoi se një vizion i përbashkët për Ballkanin Perëndimor nënkupton më shumë integrim, bashkëpunim, stabilitet dhe siguri, si bazë për zhvillim ekonomik dhe prosperitet të qëndrueshëm./Albinfo.at