Në edicionin e tretë të forumit po marrin pjesë përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve nga të dyja vendet. Në fokus janë zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe mundësitë e reja të investimeve, transmeton albinfo.ch.
Në Prishtinë po mbahet edicioni i tretë i Forumit Ekonomik Kosovë–Poloni, i organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe bizneseve nga Kosova dhe Polonia, raporton albinfo.ch.
Në kuadër të forumit, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në aktivitetet e organizuara për këtë rast.
Gjatë një pritjeje për nder të pjesëmarrësve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua përfaqësuesve të bizneseve kosovare dhe polake, duke i inkurajuar që të shfrytëzojnë potencialin ekonomik të të dyja vendeve për krijimin e partneriteteve, rritjen e investimeve dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare.
Forumi u organizua për herë të parë në Prishtinë në vitin 2022, ndërsa edicioni i dytë u mbajt në Varshavë në vitin 2024. Këtë vit, aktiviteti është rikthyer në kryeqytetin e Kosovës, me synimin për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik.
Organizimi bëhet nga MINTI, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Poloni.
Programi i forumit përfshin takime të drejtpërdrejta B2B dhe B2G ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve. Vëmendje e veçantë u kushtohet sektorëve të digjitalizimit, mbrojtjes dhe prodhimit të avancuar./Albinfo.ch