Skip to content

Shefi i sigurisë kibernetike në Zvicër paralajmëron: Sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më agresive

Numri i sulmeve kibernetike në Zvicër është në rritje, ndërsa mënyra e realizimit të tyre po bëhet gjithnjë e më agresive. Florian Schütz, drejtor i Zyrës Federale për Siguri Kibernetike në Zvicër, thotë se për shkak të situatës së tensionuar gjeopolitike, këto sulme po marrin një dimension të ri dhe nuk kufizohen më vetëm në vjedhjen apo bllokimin e të dhënave.

Në një intervistë për transmetuesin publik zviceran SRF, Schütz thekson se sulmet kibernetike tashmë mund të shkaktojnë edhe dëme të drejtpërdrejta fizike.

“Sulmet janë më të orientuara dhe më të synuara. Nuk bëhet fjalë më vetëm për enkriptimin e të dhënave me qëllim të shantazhit përmes kërkesave për para. Tani ato po shkaktojnë dëme reale”, deklaron Schütz.

Si shembull, ai përmend sulmet ndaj sistemeve të ftohjes në Francë, të cilat kishin për qëllim dëmtimin e qëllimshëm të rezervave ushqimore dhe madje edhe të produkteve të gjakut për përdorim mjekësor. Sipas tij, këto raste dëshmojnë se sulmet që nisin në hapësirën digjitale mund të kenë pasoja konkrete në botën fizike.

Duke folur për arsyet e rritjes së sulmeve, Schütz vlerëson se një pjesë e përgjegjësisë lidhet edhe me mungesën e ndjekjes penale të hakerëve në vendet prej nga veprojnë.

Ai përmend grupe të hakerëve nga Rusia, aktivitetet e të cilëve, sipas tij, nuk bien ndesh me interesat e shtetit. Në raste të tilla, kur autoritetet nuk ndërmarrin masa të mjaftueshme, aktiviteti i këtyre grupeve mund të shtohet.

Inteligjenca artificiale dhe siguria e produkteve digjitale

I pyetur nëse rritja e sulmeve lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale, e cila ua lehtëson punën hakerëve, Schütz thotë se deri më tani nuk janë evidentuar sulme plotësisht autonome.

Megjithatë, ai paralajmëron se një zhvillim i tillë mund të jetë vetëm çështje kohe, pasi edhe kriminelët po përdorin teknologjitë e reja për të optimizuar aktivitetin e tyre.

Sipas tij, inteligjenca artificiale nuk mund të depërtojë në një sistem nëse ai nuk ka dobësi të sigurisë.

Schütz vë në pah se një nga problemet kryesore është mënyra se si zhvillohen produktet dhe sistemet teknologjike. Sipas tij, shpesh prodhuesit i japin përparësi uljes së kostove, në dëm të cilësisë dhe sigurisë.

“Shpesh, produktet që blejmë nuk projektohen duke pasur parasysh sigurinë. Prodhimi më i lirë merr përparësi ndaj cilësisë”, thotë ai.

Për këtë arsye, drejtori i Zyrës Federale për Siguri Kibernetike konsideron se nevojiten rregullime ligjore që do të parandalonin daljen në treg të produkteve me mangësi serioze të sigurisë. Sipas tij, Këshilli Federal i Zvicrës synon ta trajtojë këtë çështje përmes një ligji të ri për sigurinë kibernetike.

Megjithatë, Schütz thekson se inteligjenca artificiale nuk duhet parë vetëm si rrezik, por edhe si mundësi për zhvillimin e sistemeve më të sigurta.

Rekomandimet për qytetarët

Duke folur për masat që mund të ndërmarrin qytetarët për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike, Schütz rekomandon përditësimin e rregullt të pajisjeve dhe programeve, si dhe instalimin e menjëhershëm të përditësimeve të sigurisë.

Ai këshillon gjithashtu aktivizimin e autentifikimit me dy faktorë, që nënkupton përdorimin e fjalëkalimit dhe një elementi të dytë verifikimi, siç është një aplikacion i posaçëm.

Një tjetër rekomandim është kujdesi ndaj ofertave në internet që duken tepër të mira për të qenë të vërteta.

“Nëse një ofertë në internet duket tepër e mirë për të qenë e vërtetë, zakonisht ashtu është. Qëndroni larg saj”, paralajmëron Schütz.