Të dhënat e publikuara nga Radio Televizioni Zviceran (RTS) tregojnë se numri i netqëndrimeve në hotelet e këtij destinacioni turistik ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2026.
Sipas të dhënave të zyrës së turizmit “Crans-Montana Tourism & Congress”, nga janari deri në shtator janë regjistruar rreth 176 mijë netqëndrime, krahasuar me 226 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 22 për qind në shifrat fillestare, ndërsa pas përllogaritjes së kapaciteteve hoteliere që përkohësisht kanë qenë jashtë funksionit për shkak të renovimeve, rënia vlerësohet në rreth 16 për qind.
Drejtori i zyrës së turizmit, Bruno Huggler, ka deklaruar se në këtë situatë kanë ndikuar disa faktorë, përfshirë tragjedinë e 1 janarit dhe zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht konfliktet në Lindjen e Mesme. Sipas tij, turistët zviceranë kanë qenë më të qëndrueshëm në krahasim me vizitorët e huaj.
Rënia është vërejtur gjatë gjithë periudhës janar-shtator. Ajo ishte më e kufizuar gjatë muajve të dimrit, ndërsa u thellua në prill, kur netqëndrimet shënuan rënie prej 57.6 për qind. Gjatë muajve të verës, rënia mujore ishte nga 22 deri në 32 për qind.
Crans-Montana, destinacioni me rënien më të madhe
Krahasimi me 12 destinacione të njohura turistike në Zvicër tregon se Crans-Montana është i vetmi që ka regjistruar një rënie kaq të theksuar. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, destinacioni fqinj Anniviers ka shënuar rënie prej 5.2 për qind, ndërsa Verbier, Zermatt dhe Davos kanë ruajtur nivele të qëndrueshme të vizitorëve. Në anën tjetër, Gstaad ka regjistruar rritje prej 6.2 për qind, ndërsa St. Moritz prej 10.3 për qind.
Vështirësitë janë reflektuar edhe në sektorin e qiradhënies së apartamenteve dhe shtëpive për pushime. Marc Vincent, themelues i agjencisë së qiradhënies “Séjours Alpin”, ka thënë se, megjithëse nuk janë ulur drejtpërdrejt çmimet, është dashur të ofrohen tarifa dukshëm më të favorshme për të siguruar rezervime.
Sipas tij, parashikimet për sezonin e pushimeve në Crans-Montana janë dukshëm më të ulëta krahasuar me destinacionet e tjera turistike në kantonin e Valaisit.
Pasojat ekonomike prekin edhe gastronominë
Pasojat e tragjedisë janë ndier edhe në sektorin e gastronomisë, ku disa restorante dhe lokale janë detyruar të mbyllin aktivitetin.
Alexis Nicolas, ish-menaxher i lokalit “Yuki Bar and Lounge”, ka deklaruar se të hyrat e biznesit kishin rënë deri në 60 për qind.
Ai, i cili kishte investuar në Crans-Montana që nga viti 2023, u detyrua ta mbyllte lokalin në muajin maj. Edhe pas disa muajsh, ende nuk ka arritur të gjejë një blerës për biznesin.
“Pavarësisht vizitave të interesuarve, njerëzit hezitojnë të investojnë në Crans-Montana, sepse nuk e dinë se si do të rimëkëmbet turizmi”, ka deklaruar Nicolas.
Të dhënat tregojnë se, përveç pasojave të rënda njerëzore, tragjedia në lokalin “Le Constellation” ka lënë gjurmë të thella edhe në ekonominë lokale, duke ndikuar në hoteleri, turizëm, gastronomi dhe sektorin e akomodimit.