Skip to content

Kurti dhe Parmelin diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Zvicrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Lajmin e ka bërë të ditur Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar rolin e mërgatës kosovare në forcimin e lidhjeve mes dy shteteve, njofton albinfo.ch.

Kurti ka shprehur mirënjohje për kontributin e Zvicrës dhe ka veçuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e EFTA-s, të cilën e ka cilësuar si një kapitull të ri në bashkëpunimin ekonomik.

Sipas tij, marrëveshja, e cila hyri në fuqi muajin e kaluar, përfshin tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve.

“Marrëdhënieve të mira dypalëshe u paraprin lidhja e fortë e mërgatës sonë me popullin dhe shtetin zviceran”, ka shkruar Kurti.

Takimi u zhvillua në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ku liderë nga vende të ndryshme evropiane diskutojnë çështje të përbashkëta dhe bashkëpunimin rajonal./Albinfo.ch