Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin procedural të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e rendit të ditës, me qëllim përfshirjen e Ligjit për Gjykatën Speciale në seancën e sotme parlamentare, përcjell albinfo.ch.
Në mbështetje të këtij propozimi kanë votuar 79 deputetë, ndërsa pika për shqyrtimin e ligjit është vendosur në fund të rendit të ditës.
Mocionin në emër të PDK-së e ka paraqitur deputetja Vlora Çitaku, e cila ka kërkuar që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të përfshihet në agjendën e seancës.
Sipas raportimeve nga Kuvendi, propozimi është mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kundërshtuar përfshirjen e kësaj pike.
Vendimi për ndryshimin e rendit të ditës nënkupton se çështja e Ligjit për Gjykatën Speciale do të trajtohet gjatë seancës së sotme parlamentare./Albinfo.ch