Një metodë e re e zhvilluar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Cyrihut mundëson zbulimin e substancës GHB, e njohur si “droga e përdhunimit”, deri në tri ditë pas konsumimit.
Metoda bazohet në identifikimin e një biomarkeri të ri, i cili qëndron në organizëm më gjatë se vetë substanca dhe mundëson zbulimin e saj për një periudhë dukshëm më të gjatë se më parë.
Deri më tani, GHB-ja mund të zbulohej në gjak vetëm deri në gjashtë orë, ndërsa në urinë deri në 12 orë pas konsumimit. Kjo shpesh e vështirësonte dokumentimin e rasteve, pasi mostrat nuk arrinin të merreshin brenda këtij afati.
Sipas Andrea Steuer, zëvendësdrejtuese e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Cyrih, studimet kanë treguar se biomarkeri mund të identifikohet edhe pas 28 orësh, në shumicën e rasteve pas dy ditësh, ndërsa në disa persona deri në tri ditë pas konsumimit.
Gjetja e re pritet të ndihmojë në hetimin dhe dokumentimin më të saktë të rasteve të dyshuara të abuzimit seksual, veçanërisht kur viktimat kërkojnë ndihmë me vonesë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se mostrat e gjakut dhe urinës duhet të merren sa më shpejt që të jetë e mundur pas dyshimit për konsumim të kësaj substance.