Skip to content

Zvicra synon të ulë orarin maksimal të punës për infermierët nga 50 në 45 orë në javë

Sipas komisionit parlamentar, ndryshimi do të prekte vetëm një pjesë të vogël të personelit infermieror, pasi punësimi me orar të plotë është relativisht i rrallë në këtë sektor

Infermierët në Zvicër mund të përfitojnë së shpejti nga një reduktim i orarit maksimal të punës, nga 50 në 45 orë në javë, në kuadër të reformave që synojnë përmirësimin e kushteve të punës në sektorin shëndetësor dhe përballimin e mungesës së personelit.

Komisioni për Siguri Sociale dhe Shëndetësi i Këshillit të Shteteve ka mbështetur propozimin për uljen e orarit maksimal javor të punës për infermierët. Në mbledhjen e 10 nëntorit, propozimi mori nëntë vota pro dhe tri kundër, duke rikthyer në diskutim një masë që ishte refuzuar nga Këshilli Kombëtar në prill të këtij viti.

Sipas komisionit parlamentar, ndryshimi do të prekte vetëm një pjesë të vogël të personelit infermieror, pasi punësimi me orar të plotë është relativisht i rrallë në këtë sektor. Për më tepër, rregullat e reja do të vazhdonin të lejonin organizimin fleksibil të ndërrimeve të punës, me kusht që mesatarja prej 45 orësh të respektohej gjatë një periudhe dyjavore, transmeton albinfo.ch.

Reforma është pjesë e përpjekjeve më të gjera të autoriteteve zvicerane për të përmirësuar kushtet e punës në profesionet e kujdesit shëndetësor. Sektori i infermierisë prej kohësh përballet me mungesë të personelit të kualifikuar, ndërsa ngarkesa e lartë e punës dhe oraret e zgjatura konsiderohen ndër faktorët që ndikojnë në largimin e punonjësve nga profesioni.

Një nga sfidat kryesore mbetet financimi i masave të propozuara. Kostot shtesë që mund të krijohen nga reforma pritet të mbulohen përmes mekanizmave ekzistues të financimit, ku përfshihen kompanitë e sigurimeve shëndetësore, kantonet dhe komunat.

Ndërkohë, autoritetet synojnë të gjejnë një zgjidhje të ekuilibruar, që nga njëra anë garanton kushte më të mira për infermierët dhe nga ana tjetër nuk krijon barrë të papërballueshme financiare për sistemin shëndetësor.

Propozimi është pjesë e fazës së dytë të zbatimit të iniciativës për kujdesin infermieror, të miratuar nga qytetarët zviceranë në referendumin e vitit 2021.

Megjithatë, ulja e orarit maksimal nga 50 në 45 orë nuk ka hyrë ende në fuqi. Projektligji duhet të vazhdojë procedurat parlamentare përpara se ndryshimet të bëhen të detyrueshme.