Një klasë e re e mësimit të gjuhës shqipe është hapur në qytetin e Bulle, në kantonin Friburg të Zvicrës, ku 45 fëmijë shqiptarë kanë tashmë mundësinë të ndjekin mësimet në gjuhën amtare çdo të hënë dhe të mërkurë, njofton albinfo.ch.
Nisma është realizuar përmes bashkëpunimit të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, mësueses Xhuljeta Balla dhe prindërve shqiptarë të kësaj zone.

Me këtë rast, ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha, ka vizituar klasën e re, ku është takuar me nxënësit, mësuesen dhe prindërit. Në kuadër të programit shumëvjeçar për mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, Ambasada ka shpërndarë edhe tekste shkollore për fëmijët.

Ambasada ka shprehur mirënjohje për mësuesen Xhuljeta Balla dhe prindërit shqiptarë për angazhimin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës amtare te brezat e rinj.
Hapja e kësaj klase krijon një mundësi shtesë për fëmijët shqiptarë që, krahas shkollimit dhe integrimit në shoqërinë zvicerane, të ruajnë lidhjen me gjuhën, kulturën dhe prejardhjen e tyre./Albinfo.ch