Skip to content

Mickoski: Nuk do të ketë provim të jurisprudencës 100% në gjuhën shqipe

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se pjesa teorike e provimit mund të zhvillohet në gjuhën e studimeve, ndërsa pjesa praktike do të mbahet në maqedonisht.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se provimi i jurisprudencës nuk do të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, pavarësisht kërkesave të studentëve shqiptarë, përcjell albinfo.ch.

Duke folur për këtë çështje, Mickoski ka sqaruar se zgjidhja që do t’i paraqitet Qeverisë parasheh ndarjen e provimit në dy pjesë, teorike dhe praktike.

Sipas tij, kandidatët do të kenë mundësi që pjesën teorike ta japin në gjuhën në të cilën kanë përfunduar studimet universitare, përfshirë gjuhën shqipe, turke dhe angleze.

Ndërkaq, pjesa praktike, e cila përfshin simulimin e proceseve gjyqësore në procedurën penale dhe civile, do të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Mickoski e ka arsyetuar këtë qëndrim duke theksuar se gjuha maqedonase duhet të mbetet gjuhë e përbashkët e funksionimit të sistemit gjyqësor, duke e lidhur këtë çështje me sundimin e ligjit.

Ndërkohë, partneri i koalicionit qeverisës, ZNAM, ka paralajmëruar largimin nga koalicioni nëse mundësohet mbajtja e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka propozuar që dhjetë provime të zhvillohen në gjuhën e studimeve dhe dy provimet praktike në maqedonisht. Megjithatë, studentët shqiptarë e kanë kundërshtuar këtë propozim, duke këmbëngulur që provimi të mbahet plotësisht në gjuhën shqipe. /Albinfo.ch