Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha ka takuar sot z. Guy Parmelin, president i Konfederatës së Zvicrës.
Në një njoftim të tij në fb z. Berisha shkruan: “Sot, në kuadër të një takimi të shkurtër personal dhe pritjes zyrtare në Bernë, patëm kënaqësinë të takoheshim me Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Shkëlqesinë e Tij, z. Guy Parmelin.
Me këtë rast, kishim nderin t`i dhuronim një punim artistik me domethënie të veçantë, të realizuar nga gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky punim, i realizuar në kuadër të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, përfaqëson historinë, qëndresën dhe dinjitetin e grave që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë”, përfundon postimin e tij Vigan Berisha, udhëheqës i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih.