Inflacioni në eurozonë është rritur në nivelin më të lartë të tre viteve, duke arritur në 4% në tetor, nga 3.8% një muaj më parë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga kostot e larta të energjisë, ndërsa ekonomistët paralajmërojnë se presionet inflacioniste mund të shtohen edhe në muajt në vijim.
Ndërkohë, inflacioni bazë, që përjashton çmimet e luhatshme të ushqimeve dhe energjisë, mbeti i pandryshuar në 2.5%.
Megjithatë, shtrenjtimi i naftës dhe gazit po përhapet gradualisht edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke rritur kostot e mallrave dhe shërbimeve, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.
Lufta e Shteteve të Bashkuara në Iran ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë, duke ushtruar presion mbi vendet e eurozonës, të cilat varen në masë të madhe nga importet. Për të frenuar inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur dy herë normat e interesit gjatë këtij viti, ndërsa në mbledhjen e fundit vendosi t’i mbajë ato të pandryshuara.
Megjithatë, sinjalet nga drejtues të disa bankave qendrore kombëtare, përfshirë ato të Gjermanisë dhe Italisë, po shtojnë pritshmëritë për një tjetër rritje të normave në dhjetor. Tregjet financiare parashikojnë gjithashtu dy deri në tri rritje të mundshme gjatë vitit të ardhshëm.
Presionet nuk kufizohen vetëm te energjia. Inflacioni në shërbime u rrit në 3.3%, ndërsa çmimet e produkteve industriale shënuan një rritje prej 1.2%. Edhe ushqimet vijuan të shtrenjtohen, me produktet e papërpunuara që kushtuan 4.6% më shumë se një vit më parë.
BQE parashikon që inflacioni të qëndrojë mbi 4% gjatë pjesës më të madhe të gjysmës së parë të vitit 2027, përpara se të nisë rënien. Një tjetër shqetësim mbetet niveli i ulët i rezervave të gazit, që mund të sjellë kosto më të larta ngrohjeje gjatë dimrit.