Platforma e shërbimeve elektronike e-Albania ka prezantuar funksionalitete të reja përmes asistentes digjitale Diella 4.0, duke ua lehtësuar qytetarëve qasjen në shërbimet publike, veçanërisht pensionistëve dhe personave që kanë vështirësi në përdorimin e teknologjisë, përcjell albinfo.ch.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar të hënën, më 2 nëntor, një video shpjeguese, përmes së cilës tregon mënyrën se si qytetarët mund të komunikojnë me Diellën dhe të marrin shërbimet e nevojshme pa kaluar nëpër procedura të ndërlikuara.
Sipas kryeministrit, tashmë mjafton që përdoruesit t’i drejtohen asistentes digjitale me një kërkesë të thjeshtë, ndërsa ajo i udhëzon nga gjetja e shërbimit deri te plotësimi i formularëve.
“Të dashur prindër dhe gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës dhe ajo ju ndihmon hap pas hapi, nga gjetja e shërbimit te plotësimi i formularëve në e-Albania”, ka shkruar Rama.
19 shërbime me një komandë zanore
Një nga risitë kryesore të versionit Diella 4.0 është mundësia e realizimit të 19 shërbimeve publike vetëm përmes një komande zanore.
Këto shërbime janë përshtatur veçanërisht për pensionistët, të cilët mund të kërkojnë dokumentet e nevojshme pa pasur nevojë të plotësojnë manualisht formularë apo të ndjekin disa hapa në platformë.
Për shërbimet e tjera, Diella mund të kërkojë informacione shtesë nga përdoruesi, në varësi të dokumentit ose procedurës së kërkuar.
Gjatë prezantimit të funksionaliteteve të reja, drejtori i Inteligjencës Artificiale në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Enio Kaso, ka shpjeguar se asistentja digjitale tashmë mund të kryejë veprime në emër të përdoruesit, përfshirë plotësimin e formularëve dhe përgatitjen e dokumenteve.
Hyrja në platformë edhe përmes identifikimit biometrik
Një tjetër risi është mundësia e identifikimit përmes njohjes së fytyrës, Face ID, ose gjurmës së gishtit, në pajisjet që e mbështesin këtë funksion.
Pas aktivizimit fillestar, përdoruesit mund të hyjnë në aplikacion pa pasur nevojë të shkruajnë çdo herë emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin.
Sipas autoriteteve shqiptare, këto ndryshime synojnë ta bëjnë platformën më të thjeshtë dhe më të qasshme për të gjitha grupmoshat.
Kryeministri Rama ka theksuar se Diella nuk do të kufizohet vetëm në dhënien e udhëzimeve, por do të marrë një rol më aktiv në realizimin e shërbimeve.
Me versionin e ri, qytetarët mund të shprehin kërkesën e tyre në gjuhë të zakonshme, ndërsa asistentja digjitale ndërmerr hapat e nevojshëm për përgatitjen e dokumentit.
Këto funksionalitete pritet të lehtësojnë edhe përdorimin e shërbimeve elektronike nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe kanë nevojë të pajisen me dokumente administrative nga Shqipëria.