Rahoveci nuk ka nevojë t’i mësojë askujt si bëhet vera. Vreshtat janë aty prej brezash dhe çdo familje ka pasur nga një fuçi në bodrum. Ajo që i mungonte ishte diçka tjetër: një markë.
Atë fjalë Nasib Shehu e mësoi larg Rahovecit. Pesëmbëdhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara ia sqaruan se një produkt i mirë dhe një produkt i njohur nuk janë e njëjta gjë. “Amerika më ka mësuar shumë për mënyrën e punës, organizimin, komunikimin me klientët dhe sidomos për rëndësinë e një produkti të mirë dhe të një marke të mirë,” thotë ai.
Në vitin 2011 i vuri të dyja në të njëjtin vend.
Vendimi
Kthimi në Kosovë nuk u vendos brenda natës. “Pas 15 vitesh në Amerikë kisha krijuar jetën time atje, por gjithmonë e kam pasur në mendje që një ditë të kthehem në Kosovë dhe të bëj diçka këtu.”
Kur nisi ta shqyrtonte seriozisht, llogaria doli e qartë: përvoja e fituar jashtë mund të bashkohej me traditën që ekzistonte tashmë në Rahovec. Njëra pa tjetrën nuk bënte punë.
“Nuk donim vetëm të prodhonim verë. Donim të krijonim një markë që ta përfaqësonte Kosovën edhe jashtë vendit.”
Kujtimi dhe realiteti
Kosova që e kishte në mendje nga Amerika nuk ishte e njëjta me Kosovën ku zbriti për të hapur biznes. “Kur jeton jashtë, Kosovën e mendon shumë edhe përmes kujtimeve. Kur kthehesh dhe fillon të merresh me biznes, e sheh realitetin pak më ndryshe.”
Mësimi i parë ishte i pakëndshëm: një ide e mirë nuk mjafton. Erdhën sfidat me administratën, me tregun dhe me gjetjen e njerëzve të duhur. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh në një sistem tjetër, iu desh të përshtatej sërish dhe njëkohësisht të kuptonte një treg që nuk e njihte si biznesmen.
Pati momente të vështira. Kthimi në Amerikë, thotë, nuk ishte kurrë ndër opsionet.
Çfarë mori nga Napa
Modeli i kantinave amerikane, veçanërisht ai i Napa Valley-t, nuk kishte të bënte me prodhimin, por me atë që ndodh pasi vera është bërë. “Nuk është vetëm një vend ku prodhohet vera. Është edhe një vend ku njerëzit vijnë, e shijojnë verën, mësojnë diçka dhe krijojnë një lidhje me markën.”
Kufirin e di: “Nuk mund të marrësh një model nga Amerika dhe ta kopjosh direkt në Kosovë.” Prandaj mori vetëm idetë që funksiononin dhe i përshtati me realitetin e Rahovecit.
Fjala “Kosova” në etiketë
Për një produkt që synon tregjet e huaja, origjina mund të jetë barrë. Ai e trajtoi si të kundërtën. “Emri ‘Kosova’ është pjesë e identitetit tonë dhe nuk kemi arsye ta fshehim origjinën.”
Konsumatorin e ri e bind cilësia — kjo nuk diskutohet. Por historia pas produktit është ajo që e dallon nga rafti përballë. “Ne duam që kur dikush ta shohë një shishe Kosova Wine, ta dijë se është verë nga Rahoveci, Kosovë.”
Pas çdo shisheje
Modeli i biznesit varet nga diçka që nuk ndodhet brenda kantinës: vreshtat e Rahovecit dhe familjet që i punojnë. “Një kompani e verës nuk mund të zhvillohet nëse nuk zhvillohet edhe vreshtaria,” thotë ai.
Kur kompania blen rrush nga fermerët lokalë, krijohet një zinxhir që prek familje e biznese të tjera. Qëllimi nuk është vetëm rritja e kompanisë, por një treg i qëndrueshëm për vreshtarët përreth.
Epilog
Bashkatdhetarëve që mendojnë të kthehen u thotë atë që rrallë dëgjohet nëpër konferenca: “Nuk duhet të mendohet se vetëm pse ke kapital nga jashtë, suksesi vjen vetvetiu.” Këshilla është praktike — kaloni pak kohë në Kosovë para se të investoni, kuptojeni sektorin dhe ndërtoni një plan afatgjatë.
Amerikën nuk e vendos përballë Kosovës: “Amerika më dha shumë përvojë, ndërsa Kosova më dha mundësinë që atë përvojë ta përdor këtu, në vendin tim.” Do ta merrte sërish të njëjtin vendim; eksportin dhe markën vetëm do t’i planifikonte më herët.
“Qëllimi ynë ka qenë të tregojmë se edhe nga Kosova mund të krijohet një produkt cilësor, me të cilin mund të dalim jashtë vendit dhe të jemi krenarë.”



